Tirana i bashkohet Shkupit dhe Prishtinës, mbillen 25 fidanë nga farat e bredhit të Nënë Terezës, Veliaj: Na duhen më shumë nisma të tilla që bashkojnë

22/10/2022 16:03

Në muajin Tetor, kur përkujtojmë 19 vjetorin e Lumturimit të Nënë Terezës, humanistes shqiptare fituese e çmimit Nobel për Paqen, Tirana i bashkohet Shkupit dhe Prishtinës në një akt simbolik, siç është mbjellja e 25 fidanëve, nga farat e bredhit të mbjellë nga vetë Shenjtorja në vitin 1980 në sheshin e Shkupit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar në mbjelljen e fidanëve nga përfaqësuesi i Institutit të Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, Skënder Hasani, përmendi një tjetër monument të rëndësishëm në nder të figurës së Nënë Terezës, siç është ndërtimi i shenjtores së saj në kodrat e Liqenit Artificial.

“Nuk kishte vend më të bukur se sa një park që ndodhet m’u mbi sheshin “Nënë Tereza”, që mban emrin e saj, në ditët e Lumturimit të saj, të përkujtojmë atë ngjarje të shenjtë. Këshilli Bashkiak i Tiranës sapo ka vendosur që, në kodrat e Liqenit të Tiranës, në anën tjetër, të ngrejmë një shenjtore të Nënë Terezës, si një vend reflektimi dhe lutjeje, një vend qetësie dhe paqeje. Ju falënderoj me gjithë zemër që e morët këtë nismë dhe mezi pres nisma të tjera si kjo,” tha kryebashkiaku.

Gjithashtu, Veliaj tha se debatet joproduktive, nuk duhet të ndërhyjnë në nisma të tilla, që janë në interes të kujtdo.

“Ne shqiptarët, ndonjëherë, shquhemi për shumë debate pa duk, ‘e lagu, s’e lagu’, ‘i kujt je ti, i kujt jam unë’, ‘partia jote, partia ime’. Na duhen më shumë nisma të tilla që na bashkojnë, jo ato që na përçajnë. Kjo është një nismë që bashkon. Ne ndër shqiptarë kemi gjithmonë e më shumë nevojë për fije që na bashkojnë dhe ky është shekulli ynë. E ka pas thënë Nënë Tereza, që duhet  shfrytëzojmë çdo moment. Nëse s’mund të japësh gjithçka për të shpëtuar botën, mund të shpëtosh një njeri, por minimalisht mund të japësh një buzëqeshje. Kush e mendonte që do kishte luftë në vitin 2022! Kush e mendonte se prej një luftë barbare, të një xhelati psikopat, do të shkaktohej një krizë e madhe çmimesh kudo, e do kishte inflacion kudo?”, u shpreh ai.

Përfaqësuesi i Institutit të Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, Skënder Hasani tha se Nënë Tereza u përket të gjithë shqiptarëve dhe se farat e bredhit që ajo mbolli në qendër të Shkupit, shumë vite më parë, tanimë po mbijnë edhe në Tiranë dhe në Prishtinë.

Nisma e përbashkët mes Tiranës, Shkupit dhe Prishtinës do të kurorëzohet me përtëritjen e tre parqeve me bredha, si vazhdimësi e bredhit të dëmtuar të Nënë Terezës.

Top Channel