Shtrenjtohet buka në Greqi! Shkak janë bërë faturat e energjisë që janë trefishuar

22/10/2022 12:18

Buka po tenton të kthehet në një artikull luksi në Greqi, pasi çmimi i saj është vazhdimisht në rritje. Sipas të dhënave të Entit të Statistikave brenda një viti çmimi i një buke është rritur me 18.4%, ndërsa konsumatorët sa vjen e zvogëlojnë sasinë e blerjes.

Rënia e xhiros e kombinuar me rritjen e kostove operative ka bërë që 204 furra buke në mbarë vendin të mbyllen,ndërkohë që vlerësohet se 10% – 15% e 14.400 bizneseve në këtë sektor janë në prag të falimentimit.

Sipas kryeartikullit të gazetës “TA NEA”, çmimet e lëndëve të para të furrave të bukës janë rritur në maksimum, vaji i lulediellit nga 10 euro për 10 litra ka shkuar në 33 euro, mielli nga 12 euro për thesin 25 kg, tashmë kushton 24 – 25 euro, susami nga 1.60 kilogrami në afër 3 euro.

Që nga fillimi i vitit, xhirroja e përgjithshme e furrave tradicionale është ulur me 20%, e thënë ndryshe me gati 500 milionë euro.

Vitin e fundit, kostoja e energjisë për bizneset është dyfishuar ose trefishuar. Një furrë buke që paguante 1,980 euro energji elektrike në verën e vitit 2021, në tetor të këtij viti ka marrë një faturë prej 5,914 euro,pra gati 3 herë më tepër. Gjithashtu një  furrë buke që përdorte gaz dhe në verën e vitit 2021 paguante 870 euro për gazin natyror, muajin e kaluar fatura e lëndës djegëse i ka ardhur 2600 euro dhe të njëjtën rritje kanë edhe furrat që përdorin naftë.

Greqia që ka regjistruar përsëri një rekord inflacioni për muajin shtator në 12% nga 11.4% në gusht , ndodhet në vendin e njëmbëdhjetë në Evropë për rritjen e çmimit të bukës në vitin e fundit. Vlen të përmendet se këtë vit përveç bukës ,çmimet e gazit natyror janë rritur në vend me 332%, nafta për ngrohje me 65.1%, energjia elektrike me 30.5%, me  23,3% janë rritur çmimet e qumështit dhe vezëve dhe 17,6% mishi dhe vajrat.

Top Channel