”Plas”në Kongresin e Kinës, ish presidentin e nxjerrin jashtë nga krahët!

22/10/2022 15:37

Presidenti kinez, Xi Jingping i mbylli punimet e Kongresit të 20-të të partisë komuniste me një triumf të madh personal: aprovimin e një amendamenti që modifikon statutin e partisë, duke i dhënë atij mandatin e trete, fuqi shtesë e duke i cimentuar akoma edhe më shumë pozicionin në krye të shtetit.

Analistët po vëzhgonin nga afër nëse statuti i partisë do të ndryshohej me qëllimin të përfshihej aty “Mendimi i Xi Jinping” si një filozofi udhëzuese, lëvizje kjo që do ta vendoste në të njëjtin nivel me Mao Ce Dunin.

Një gjë e tillë nuk ndodhi, ndonëse rezoluta përfshinte kredon politike  “Marksizmi i Kinës bashkëkohore dhe i shekullit të 21”, duke shtuar se ajo “mishëron më së miri kulturën dhe etikën kineze të kësaj epoke”. Mergjithatë, kufirin e dy mandateve presidenciale, Xi e hoqi që në  në 2018, duke i hapur kështu vetes rrugën për të sunduar pafundësisht. Dhe tani, me modifikimin që Kongresi i bëri statutit, duke e cilësuar Xi Jingping si “bërthamën e tij”, situata e presidentit kinez konsolidohet edhe më shumë duke forcuar pozitat e tij si lideri më i fuqishëm i Kinës që nga kohë e Mao-s, ndërsa do të ketë pushtetin absolut edhe për të paktën 5 vjet të tjera. Sidoqoftë, syrit të mediave nuk i shpëtoi një incident në sallë, që errësoi euforinë e presidentit: ish kreu i shtetit, paraardhësi i tij Hu Jintao u nxorr nga salla prej krahësh.

Nuk dihet nëse shkaku ka qenë ndonjë mosmarrëveshje apo nese 79 vjecari është ndjerë keq, por bëri shumë përshtypje fakti që janë dërguar në pension të parakohshëm, shumica edhe pa e mbushur moshën e duhur, të gjithë drejtuesit e lartë të cilët nuk ishin të gatshëm ta ndiqnin pa hezitim linjën e Xi Jingping, dhe sidomos kthesën marksiste-leniniste që ai i imponon ekonomisë.

Top Channel