Për pedagogun Lush Susaj, Universiteti Bujqësor është shtëpia e tij e dytë.
“Unë kam studiuar agrokulturë. Kam ardhur këtu në 82 si student. Në universitetin bujqësor jam prej 40 vitesh. U bëra pedagog, e po këtu kam bërë dhe masterin, specializimin” – tha Lush Susaj-pedagog dhe mirëmbajtës lulishtesh
60 vjeçari krah 5 orëve mësim për bimët në auditor, pa i ndarë gërshërët nga dora, në veçanti nga pedagogët e tjerë ai kalon nga teoria në praktikë…
Pedagogu Lush Susaj kur heq përparësen e bardhë ai vazhdon sërish punën. Vesh çizmet dhe fillon punën si mirëmbajtës dhe krijues lulishtesh. Udhëton nga një shtëpi në tjetrën, këtë herë ka ardhur nga Tirana drejt Burrelit për t’u kujdesur për kopshtin e Ylber Sherës.
“Unë nuk rri dot i mbyllur në zyrë si qelq. Kam zanatin e bahçevanit.”– tha Lush Susaj, pedagog dhe mirëmbajtës lulishtesh.
Profesioni si agronom dhe mësimdhënia në Universitetin Bujqësor e ndihmon profesor Lushin në njohuritë e pagabueshme për krasitjen e pemishteve dhe kujdesin për vreshtat.
Ky është profesion që të rrit fëmijët, të mban familjen. Shqiptarët e konsiderojnë si punë të rëndomtë por e kanë gabim se çdo vilë e ka një lulishte që paguan 100 mijë lekë për punë. Mjafton të jesh i zoti në profesion e kjo të bën të pavarur.
Profesori bahçevan përveç pasionit që ka për mirëmbajtjen e bimëve, e ndjen edhe nevojën për një punë të dytë për të pasur mirqënie dhe të ardhurat ti ofrojnë mundësinë për të investuar vetë në kërkimin shkencor.
“Mua më kushton botimi i një libri 3 mln lek, kur marr 800 euro rrogë. Me çfarë do ha bukë? Me këtë (tregon prerësin) do jetoj. Kjo është pasuri!”- tha ai.
Pedagogu Susaj dallohet për përkushtimin e tij në punë, i papërtuar ai ka gjetur një metodë të thjeshtë për të gjetur klientë, një njoftim në makinën e tij… si dhe ata që e e kanë provuar kujdesin e profesorit për lulishtet, përhapin fjalën e mirë.
Top Channel