Kina në OKB, thirrje për Ukrainën: Ulni përshkallëzimin, 6 mijë civilë të vdekur!

22/10/2022 11:40

Lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e 241-të: një konflikt i zgjatur e i përgjakshëm, që ka shtyrë dhe Kinën t`i japë fund heshtjes së saj.

Në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, zv,ambasadori kinez  Geng Shuang lëshoi një apel për ctensionimin e situatës, dhe uljen e përshkallëzimit, duke insistuar që kjo luftë nuk duhet të bëhet më e gjatë e të shtrihet akoma më shumë.

“Në Ukrainë, është e domosdoshme një ulje e përshkallëzimit. Palët duhet të shmangin veprimet që cojnë drejt përkeqësimit të konfliktit. Zgjidhja për krizën humanitare në vend, është paqja. Nuk mund t`i mbyllet dera një zgjidhjeje politike. “

Sipas shefes së cështjeve politike rë OKB-së, Rosemary DiCarlo, që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë vrarë më shumë se 6.300 civilë e janë plagosur mbi 9.600 të tjerë. Në mesin e viktimave të shënuara që prej fillimit të agresionit rus në 24 shkurt, janë edhe 397 fëmijë.

DiCarlo theksoi se këto janë shifrat zyrtare bazuar në të dhënat që ata kanë, e nuk e përjashtoi mundësinë që bilanci real të jetë, për fat të keq, edhe më i lartë. Edhe pse presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi së fundi se Vladimir Putin më i zbutur dhe është më i hapur për dialog, sekretari amerikan i shtetit Anthony Blinken pohoi se nuk po shohin prova që të tregojnë se Rusia është e gatshme vërtet ta mbyllë më në fund konfliktin.

“Të gjithë treguesit janë se jo vetëm që i qëndron larg vullnetit për t’u angazhuar në diplomaci domethënëse, por se Presidenti Putin vazhdon të lëvizë në drejtimin e kundërt. Ne marrim dhe do të marrim në konsideratë të gjitha mjetet për të avancuar diplomacinë, nëse shohim një hapësirë për ta nxitur me çfarëdo mjeti, dhe sigurisht që do ta shqyrtojmë atë, por fakti mbetet që Moska po vazhdon të mbështetet gjithmonë e më shumë tek agresioni i saj. “

 

Top Channel