Edward P. Joseph, profesor i Universitetit Johns Hopkins në Uashington dhe një njohës i mirë i problematikeve në rajonin e Ballkanit, është i bindur se mjafton vetëm një ndryshim në “qasje dhe mendësi” për dialogun Kosovë-Serbi nga faktori ndërkombëtar që Kosova të njihet edhe nga pesë vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë hedhur ende këtë hap.

Joseph tha për REL se  ka përpjekje serioze që Kosova të sigurojë njohjen nga Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia. Sinjal i qartë për këtë, sipas ekspertit, ishte edhe deklarata e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë televizionit Kanal 10 më 19 tetor, i cili tha se “njohja nga pesë shtetet në fjalë është më e rëndësishmja që Kosova mund të marrë nga cdo proces”.

Në të njëjtën kohë, shton Joseph, “kemi raportime të pakonfimuara, por raportime se propozimi franko-gjerman vendos në qendër njohjen e Kosovës nga këto 5 vende. Propozimi, të cilit i referohet Joseph, qarkullon në mediat e Kosovës prej një muaji dhe thuhet se ka për qëllim të lehtësojë zgjidhjen e problemeve mes saj dhe Serbisë. Mes të tjerash, ai parashikon që  Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në këmbim të anëtarësimit më të shpejtë në BE.

Drafti thuhet se  nuk përmend njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, por njohjen e Kosovës nga pesë shtetet ngurruese të BE-së. Pikërisht, këto pesë mosnjohje i kanë dhënë der më tani një avantazh apo fuqi të padrejtë Serbisë për të bllokuar Kosovën në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

“Kur ia largon fuqinë Serbisë, krijon mundësinë për atë që të gjithë e duan. Një negocjim të drejtë etë balancuar. Askush nuk dëshiron ta poshtërojë Serbinë, por qëllimi është një negociatë e drejtë”, thotë Joseph, që shton se këto njohje do t1i jepnin fund një herë e mirë lojës së Aleksandar Vuçicit”, i cili zyrtarisht  pretendon se “dëshiron kompromis të drejtë me Kosovën” dhe se “është partner i Perëndimit”.

Top Channel