1644 ankesa nga qytetarët! Qindra policë me masë disiplinore për gjoba të padrejta, mosreagim në kohë dhe shkelje të etikës

22/10/2022 19:43

“Rezulton se punonjësit e strukturave të sigurisë publike, policisë rrugore, dhe hetimit të krimit shfaqin mungesë etike dhe profesionalizmi, por shqetësuese mbeten veprimet e paligjshme të policisë kryesisht të sigurisë publike në shoqërimet e paligjshme, në ushtrimin  e dhunës gjatë shoqërimit dhe qëndrimit në ambientet policore”.

Kjo gjetje zyrtare i përket Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në atë kohë të drejtuar nga Muhamet Rrumbullaku. Nga  2019 deri në 2021  kur në krye të policisë ishte Ard Veliu , agjensia dërgoi për masë disiplinore 642 efektivë policie. Në hetimin administrativ te kryer nga AMP vetëm për vitin e  fundit rezulton se u ankuan ndaj policisë 1644 qytetarë, prej të cilëve 350 njoftuan gjobitje të padrejtë, 259 mos veprim në kohë të policisë dhe 250 shkelje të etikës dhe njëanshmëri

Tani rolet kanë ndryshuar. Tanimë agjencia drejtohet nga i kritikuari Ard Veliu, kurse policia nga Muhamet Rrumullaku që në inspektimet  e AMP së atëhershme dha alarmin për  problemet që janë në organizatën e policisë.

Bledar Meminaj kujton se vitin e kaluar e këshilloi klientin e tij të shoqëruar pa të drejtë në komisariat, që të ankohej pranë AMP. Por në përfundim, Prokuroria e Tiranës e pushoi hetimin për policinë. Qytetari ishte një nga 30 shtetas që telefonuan dhe u ankuan për kontroll dhe dërgim të paligjshëm në një ambient policor.

“Nuk duhet të procedojnë në atë lloj mënyre sepse kontrolli i një prone është i parashikuar në kod se si duhet të operohet. Ajo është pronë, ka një procedurë se si duhet të bëhet”, thotë avokati.

Megjithëse ligji nga njëra anë është ashpëruar dhe agjencia është ngritur në nivel më të fortë kontrolli, policia vazhdon të ketë probleme me performancën jo vetëm tek oficerët e nivelit bazë por edhe tek ata të nivelit të lartë

Aktualisht AMP po kryen hetime për vdekjen e Lear Kurtit, i cili në tentative për t’i shpëtuar policisë gëlltiti qeset me kokainë dhe me pas ndërroi jete në komisariat. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të  oficerëve deri në sqarimin e plotë të ngjarjes.

Top Channel