Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku mori pjesë në Konferencën e Shefave të Policisë, e cila u mbajt në Dallas, Texas, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
KOnferenca Ndërkombëtare e Shefave të Policisë (IACP) është shoqata profesionale më e madhe dhe më me ndikim në botë, për drejtuesit e Policisë.
Tema kryesore e konferencës ishte diskutimi për gjetjen e metodave dhe formave sa më efikase për të luftuar krimin e organizuar transnacional, llojet e tjera të krimit, terrorizmin dhe radikalizmin e dhunshëm.
Në nisje të konferencës, Drejtori i FBI-së dhe Prokurori i Përgjithshëm kanë përshëndetur nga afër të pranishmit në këtë event dhe kanë vlerësuar rolin e shefave të Policisë, në intensifikimin e masave kundër këtyre fenomeneve që cenojnë sigurinë dhe jetën e qytetarëve.
Gjithashtu, pjesëmarrësit në “The International Association of Chiefs of Police (IACP) Annual Conference and Exposition 2022” janë përshëndetur nëpërmjet një video-mesazhi, nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Gjatë ditëve të zhvillimit të konferencës, Drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme, me Zv.prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së, përfaqësues të ICITAP-it, homologët e rajonit dhe me përfaqësues të Shoqatës Amerikano-Shqiptare të Zbatimit të Ligjit.
Zv.prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Kenneth A. Polite, i ka ofruar mbështetje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, nëpërmjet ICITAP-it, si dhe ka vlerësuar angazhimin dhe seriozitetin e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit dhe terrorizmit.
Gjatë takimit mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Drejtorit për Programin Ndërkombëtar të Asistencës për Trajnimin e Hetimeve Kriminale (ICITAP), Divizioni Kriminal, Departamenti i SHBA-së, z. Gregory Ducot, u diskutua për rëndësinë e asistencës dhe për rritjen e mëtejshme të prezencës së ICITAP-it në Policinë e Shtetit, duke shtuar trajnimet për rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore dhe atyre profesionale.
Në takimin me homologët e rajonit, Drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku ka diskutuar për intensifikim të bashkëpunimit, sidomos në fushën e krimit të organizuar dhe atij ndërkufitar.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm ka takuar përfaqësuesit e Shoqatës Amerikano-Shqiptare të Zbatimit të Ligjit, të cilët i ka falënderuar për kontributin e tyre në mbështetje të Policisë së Shtetit.
Në të gjitha takimet, Drejtori i Përgjithshëm ka bërë prezente objektivat që ai ka për të reformuar Policinë e Shtetit, duke krijuar një qasje të re në raportin me qytetarët dhe në luftën ndaj krimit. Ai i ka siguruar pjesëmarrësit në takime, për vendosmërinë e tij dhe të Policisë së Shtetit, për të punuar ngushtësisht me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, në përmbushje të misionit të përbashkët.
Gjatë ditëve të konferencës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka shkëmbyer me homologët nga vende të ndryshme të botës, përvojën dhe eksperiencën policore për trajtimin e problematikave në fushën e sigurisë.
Top Channel