Lëvizje e lirë mes vendeve të rajonit me karta identiteti, njohje e diplomave universitare, njohje e kualifikimeve profesionale për tre profesione: mjekët, dentistët dhe arkitektët.

Vendet e Ballkanit Perëndimor ranë dakord në Berlin për nënshkrimin e tre marrëveshjeve të reja në kuadër të bashkëpunimit rajonal, lëvizje kjo e përshkrua nga ministrja e jashtme gjermana Annalena Baerbock si një hap përpara në procesin e anëtarësimit në BE.

“Tre marrëveshjet hapin rrugën drejt krijimit të një tregu të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, pra në Serbi, Mal të Zi, Maqedoninë Veriore, Bosnje-Hercegovinë, Shqipëri e Kosovë. Me krijimin e këtij tregu, këto vende i afrohen edhe më shumë aderimit në bllokun europian”- u shpreh ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Zyrtarisht, marrëveshjet do të nënshkruhen në samitin e Ballkanit Perëndimor në Berlin në 3 nëntor. Sipas Baerbock, përfitimin më të madh nga këto ujdi e kanë shtetasit nga Kosova dhe Bosnja-Hercegovina, të cilët nuk do të kenë nevojë për vizë për të vizituar njëri-tjetrin. “Kjo do të thotë që të rinj kosovarë dhe bosnjakë do të vizitojnë njëri-tjetrin pa viza, gjë që  për ne europianët është e zakonshme.

Do të thotë që studentët nga Shqipëria mund të përdorin diplomën e tyre bachelor për të punuar në Maqedoninë e Veriut, dhe që arkitektët nga Serbia të punojnë në Mal të Zi”. Po kështu falë marrëveshjejeve, të diplomuarit nuk do të kenë nevojë të paguajnë më tarifa prej 200 deri 500 euro për njohjen reciproke të diplomave. Ujditë e arritur në kryeqytetin gjerman janë tre nga katër marrëveshjet, për të cilat liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor kishin rënë dakord që në samitin e Sofjes nëntorin e vitit 2020, asokohe nën ish-kancelaren Merkel.

Ato nuk arritën të implementohen për shkak të mungesës së vullnetit politik të Kosovës dhe Serbisë. Kosova ngulte këmbë që ajo të merrte pjesë në këto marrëveshje si Republikë e Kosovës, gjë që nuk pranohej nga Beogradi. Kompromisi, duket se i kapërcen këto mosmarrëveshje.

Top Channel