Greqia do shesë energji të gjelbër, ministri propozon ndërtimin e linjës elektrike deri në Austri e Gjermani

21/10/2022 12:49

Një projekt gjigant për ndërlidhjen direkte elektrike të Greqisë me Austrinë dhe Gjermaninë nëpërmjet një kablloje përmes Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor u ka propozuar ministri grek i Mjedisit dhe Energjetikës Kostas Skrekas homologëve të tij europianë. Nëpërmjet tij Greqia do tu shesë këtyre vendeve energji të gjelbër të prodhuar nga Burimet e Rinovueshme të Energjisë.

“Kemi paraqitur një propozim ndaj homologëve të mij të Austrisë e Gjermanisë për kosntruksionin e një ndërlidhjeje elektrike që do të lidhë Greqinë nëpërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera në veri të saj , me Austrinë e Gjermaninë jugore. Flasim për një linjë të re që në fillim do të jetë 3 GW dhe do të arrijë të transmetojë më vonë deri në 9GW energji elektrike”, tha Kostas Skrekas, ministri grek i Mjedisit dhe Energjetikës.

Greqia është vendi i 8 në botë sa u përket Burimeve të Rinovueshme të Energjisë dhe vetëm para dy javësh ato mbuluan kërkesat e gjithë vendit për energji elektrike për rreth pesë orë duke shënuar një rekord të ri në prodhimin e 3,106 megavat orë (MWh) energji elektrike.

Gjithashtu ministria greke e energjetikës deklaron se ka filluar zbatimin e një projekti prej 10 mld eurosh , për rritjen gati dy herë të kapacitetit të lidhjeve elektrike të Greqisë me Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Italinë dhe tre herë më shumë me Shqipërinë.

 “Janë mbi 10 mld euro, dyfishojmë ndërlidhjen elektrike me Bullgarinë nga 2 në 4 GW, deri në mesin e vitit 2023 kjo vepër do përfundojë”, tha Kostas Skrekas, ministri grek i Mjedisit dhe Energjetikës.

Në këtë iniciativë zënë vend edhe projektet për ndërlidhjet elektrike të vendit me Qipron dhe Egjiptin me qëllim transmetimin e energjisë së gjelbër në Greqi dhe më pas eksportimin e saj në Evropë.

Në kushtet e krizës energjetike botërore, synimi kryesor i Athinës është që deri në vitin 2030  prodhimi i energjisë nga burimet e rinovueshme të shkojë nga 46% që është tani në 80%.

Top Channel