Bashkëpunëtorët e ish-sigurimit jashtë politikës/ PS depoziton dy propozime për ndryshime në ligjin për partitë politike dhe dekriminalizimin

21/10/2022 14:11

Partia Socialiste ka depozituar sot në Kuvend dy propozime për ndryshime në ligjin për Partitë Politike dhe si në ligjin e dekriminalizimit, ku parashikohet që bashkëpunëtorët e ish-sigurimit të shtetit të mos jenë pjesë e politikës.

Balla i quan këto propozime si “paketë e despiunizimit”.

Sipas nismës, për ndryshime në ligjin për partitë politike, anëtarët, bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit, strukturave sekrete dhe spiunët e regjimit komunist të mos jenë më pjesë e posteve publike në kundërshtim me parimet e shoqërisë demokratike.

Nëpërmjet kësaj nisme, propozohet që të ndalohen personat me të shkuar me ish sigurimin e Shtetit që të zgjidhen kryetar në parti politike dhe nëse janë zgjedhur të shkarkohen.

PS thekson se bashkëpunëtorët sekretë të sistemit të mëparshëm duhet të mos kenë mundësi vendimmarrjeje për vendin.

““Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr.8580, datë 17.2.2000 “Për partitë politike, të ndryshuar” nisëm e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, vjen në vijim të nismave për despiunizimin e vendit dhe shkëputjen njëherë e mirë nga e shkuara e errët e një regjimi informativ sekret që shkaktoi drama për shumë familje shqiptare.

Zbardhja e të vërtetës për personat që kërkojnë të ushtrojnë detyra shtetërore, mbi të gjitha për ata persona që kanë pasur dhe kanë detyra të larta shtetërore, qofshin të zgjedhur apo të emëruar, është jo vetëm një domosdoshmëri, por edhe një simbolikë e fuqishme për të dënuar krimet e të kaluarës dhe në funksion të së tashmes, për krijimin e një shoqërie të bazuar në parimet dhe vlerat demokratike dhe për pajtimin social. Qenia e kryetarit të partisë politike, në kushtet ndaluese ligjore, parashikohet në projektligj si një nga rastet e ndalimit të regjistrimit të një partie.

Projektligji parashikon që verifikimi të kryhet përpara regjistrimit, ku organet themeluese i kërkojnë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve verifikimin nëse kryetari i zgjedhur i partisë pëfshihet në ndalimet e parashikuara nga ligji nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar”.  Vërtetimi negativ i lëshuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është pjesë e dokumentave për regjistrimin e partisë.

Këtij detyrimi ligjor do t’i nënshtrohen jo vetëm ata që duan në të ardhmen të jenë pjesë e funksioneve shtetërore, por edhe atyre që janë aktualisht në pozicione të tilla, pavarësisht nëse e kanë apo jo një çertifikatë pastërtie, Bezhani apo Mezini, pavarësisht nëse janë verifikuar më parë nga Autoriteti i Dosjeve apo jo.

Kjo nisëm parashikon se, nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vërteton se kryetari i një partie politike ndodhet në kushtet e ndalimit sipas ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar” i kërkon partisë politike shkarkimin e kryetarit dhe zgjedhjen e një kryetari të ri brenda 2 muajve nga konstatimi.

Në shumicën e vendeve post komuniste diktatoriale personat që kanë shërbyer në funksione politike në regjimet komuniste të këtyre vendeve, që kanë punuar në ‘policinë sekrete’ dhe forcat e shërbimit inteligjent, si dhe individët që kanë bashkëpunuar me këto shërbime, janë subjekte që i nënshtrohen procesit të verifikimit. Këtyre subjekteve iu ndalohet të mbajnë pozicione politike dhe funksione drejtuese në administratën publike, si dhe në shërbimet e inteligjencës dhe policisë. Për më tepër, në Hungari publikohen emrat e të gjithë personave që kanë qenë bashkëpunëtor të strukturave represive të ish-regjimit komunist.  Ndërsa Republika Çeke ndjek praktikën e vetë-rregullimit nga partitë politike, ku kandidatët duhet të dorëzojnë certifikatën e pastërtisë së figurës në parti.

Këto ndryshime ligjore mundësojnë që historitë e së shkuarës të diskutohen hapur dhe në bazë të informimit të plotë e objektiv, për të nxjerrë mësimet e duhura me qëllimin për të evituar përsëritjen e regjimeve dhe strukturave sekrete që kanë shkaktuar tragjedi tek të pafajshmit dhe familjet shqiptare.

Për këto raste duhet të kryhet transparencë e plotë dhe pengesat në legjislacionin ekzistues duhet të adresohen me qëllim zbardhjen e të vërtetës sipas vlerave demokratike të drejtësisë si përgjegjësi për brezat e ardhshëm, por mbi të gjitha detyrim për ata që vuajtën nën regjimin e kaluar”, shkruhet në projektligj.

RELACION -PROJEKTLIGJ Partite politike (1)

Në projektligjin për shtesa dhe ndryshime për dekriminalizimin parashikohet që  personat që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike: në organe kushtetuese apo të krijuara me ligj;  gjyqtarë ose prokurorë;  në postin e zëvendësministrit apo të njëvlershëm me të;  në postin e prefektit; funksionarë politikë në kabinetet e drejtuesve të çdo institucioni kushtetues apo të krijuar me ligj:  në Shërbimin Informativ Shtetëror dhe shërbime të tjera informative; në shërbimin civil dhe shërbimin diplomatik si dhe drejtues të çdo niveli në administratën   publike të nivelit qendror dhe vendor që nuk përfshihet në shërbimin civil;  në Policinë e Shtetit; ushtarakë të forcave të armatosura, si dhe në çdo post drejtues të kompanive që zotërohen plotësisht apo në maxhorancë ose administrohen nga shteti, nuk duhet të figurojnë në dokumentet e ish-sigurimit të shtetit.

RELACION +PROJEKTLigji PER NDRYSHIM TE LIGJIT 138 2015-3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA