32-vjeçari humbi jetën pas shoqërimit në polici/ Rama: E lidhin me Klodian Rashën, duan të nxjerrin njerëzit në rrugë

21/10/2022 12:01

Kryeministri i vendit Edi Rama, ka reaguar në lidhje me vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti, teksa po shoqërohej nga forcat policore. 

Gjatë takimit me banorët e Elbasanit, Rama tha se po akuzohet policia e shtetit për vrasjen e të riut, por çështja po trajtohet në mënyrën më serioze dhe se janë pezulluar nga puna efektivët që ishin të pranishëm, në mënyrë që mos të jenë të përfshirë.

Rama tha se në lidhje me çështjen është ngarkuar dhe po punon mjekësia ligjore dhe se deri më tani nuk ka shenja që një gjë e tillë të ketë ndodhur nga faktorë të jashtëm.

“Kanë që dje që po akuzojnë policinë që ka vrarë një djalë të ri ndërkohë që në mënyrën më serioze policia ka pezulluar personat që të mos jenë të përfshirë, është ngarkuar mjekësia ligjore që po bën punën e vet, nuk ka asnjë shenjë që të ketë pasur ndonjë arsye nga jashtë, të ketë qenë ndonjë gjë e bërë me të keq.”– tha Rama ndërsa komentoi edhe apelin e Sali Berishës per protesta.

“Dalin e bërtasin e vrau policia, e vrau policia. Pse? Sepse duan ta lidhin në psikologjinë e njerëzve me atë tmerrin e madh që ishte një tmerr i vërtetë të të ndjerit Rasha e duan t’i nxjerrin njerëzit rrugëve.”– vijoi Rama.

Si humbi jetën Lear Kurti?

Mbrëmjen e të mërkurës rreth orës 23:00, Lear Kurti  ka qenë duke lëvizur në këmbë në rrugën “Riza Çuka” kur një patrullë e komisariatit nr 3 i ka kërkuar të ndalonte por 32 vjeçari nuk iu bind duke u larguar me vrap. Pas një arratie rreth 400 metrash i riu u  kap nga policia në rrugën “Don Bosko”. Në njoftimin paraprak Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se gjatë shoqërimit 32- vjeçari ka shfaqur problem shëndetësore dhe është kërkuar ndihma e urgjencës. Burime nga uniformat blu thanë se I riu ka pasur dridhje trupi dhe të vjella Duke qenë se gjendja e të riut po përkeqësohej si u dërgua me mjetet e policisë në spital ku ndërroi jetë.

Sipas njoftimit, nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore. Nuk rezultoi që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe u konstatuan shenjat e krijuara në momentin e prangosjes.

Top Channel