Familjarët e Lear Kurtit mbeten në pritje të një përgjigjeje nga ana e autoriteteve të mjekësisë ligjore, në lidhje me vdekjen e papritur të të riut.

Siç duket edhe nga videoja, familjarët ndodhen në ambientet e jashtme të Institutit të Mjekësisë Ligjore nga ku presin të mësojnë shkakun e vdekjes së të riut dhe marrjen e trupit të pajetë.

Më herët babai i Lear Kurtit ka folur për Top Channel, ku ka dhënë dëshminë e tij në lidhje me ngjarjen dhe ka ngritur akuza të rënda ndaj uniformave blu.

Intervista:

Artur Isai: Nuk e kam parë trupin e djalit, Kam qenë gjithë natën jashtë morgut dhe sot dhe nuk më kanë dhënë asnjë lloj shpjegimi.

Gazetarja: A të kanë kontaktuar autoritetet?

Babai: Cilat autoritete? Ato që e kanë mbytur?! Ku ka ktu shtet. Gjeta ata të shkb-së aty më thanë nuk dimë gjë, kur të bëhen ato… nga ora 10 ose 11 do të të themi.

Gazetarja: Të thanë çfarë ka ndodhur?

Babai: Jo s’më dhanë asnjë përgjigje.

Gazetarja: Ku ishte Laerti?

Babai: Në rrugë të zotit ka qenë o motra ime. Nuk ka qenë asnjë person i rrezikshëm për ta trajtuar në ato lloj formash.

Gazetarja: A ka pasur djali yt probleme shëndetësore?

Babai: Jo asgjë. Djali ka qenë 2 metra si luan.

Ngjarja e rëndë, ndodhur sot pak pas mesnate në Tiranë, ku 32 vjeçari Lear Kurti ndërroi jetë pasi u ndalua nga policia, vijon të jetë e mbushur me mister. Fakti i vetëm është se i riu Kurti, sot nuk jeton më, ndërsa shkaku ka çelur ‘ping pongun’, mes institucioneve: Iu vdiq policëve në duar, apo mjekëve?

Top Channel