U dërgua i pajetë në spital/ Mjekët e Traumës e kanë përcjellë në morgun e Tiranës

20/10/2022 14:52

Në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme, në Komisariatin numër 3 në Tiranë, që rezultoi me humbjen e jetës së të shoqëruarit prej policisë Lear Kurti, ka një mospërputhje mes deklaratave të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore AMP, deklaroi se rreth orës 23:00 të ditës së mërkurë, gjendja shëndetësore e të shoqëruarit Lear Kurti u përkeqësua, ndaj 32 vjeçari u dërgua me mjetet e policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.
Por të kundërtën pohon Spitali I Traumës.

E kontaktuar nga Top Channel, zyra e shtypit të Spitalit Universitar të Traumës bëri këtë deklaratë:

Pacienti me iniciale L.K. ka ardhur pa shenja jete në spital. Në raste të tilla Spitali Universitar i Traumës njofton Morgun e Tiranës dhe me pas procedura për ekspertizën mjeko-ligjore ndiqet prej Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Pra do të duhet rreth 2 javë, që të mësohen zyrtarisht shkaqet që çuan në humbjen e jetës së 32 vjeçarit Lear Kurti.

Top Channel