Fjala e Jorida Tabakut
Kriza e korrupsionit në kohë paqe, por kthehet në një krizë të buxheteve familjare në kohë krize!
1. Qeveritë votohen për të drejtuar në kohë të mira e të këqia!
Sot e gjithë propaganda e qeverisë është drejtuar në inflacionin e luftës, në krizën e luftës, në rritjen e cmimeve të luftës! E askush nuk e mohon që ka impakt në tregjet ndërkomëbtare ajo që ndodhi mbas sulmit të Rusisë mbi Ukrainën! Po si e ka maanxhuar qeveria këtë sektor në kohë paqe?
Në fund shtatori mora pjesë në mbledhjen e Bordit të ERE për të diskutuar rritjen e cmimit të energjisë elektrike, në nivelin më të lartë në rajon me të paktën 5 herë! I gjithë bordi i ERE u ngrit në këmbë për të zbatuar kërkesën e qeverisë, brenda dy ditësh!
Qëllimi i krijimit të një institucioni si ERE, ka qenë i thjeshtë; vendosja e një balance të shëndetshme mes qeverisë dhe qytetarëve. Me pak fjalë ERE duhet të sigurojë që qeveria shqiptare e cilësdo forcë politike, kahu politik apo ideologjie qeverisëse të ruajë më së pari interesin publik. Kjo është arsyeja përse ekziston ERE, ky është qëllimi përse anëtarët e bordit të ERE, specialistët, njohësit e fushës së energjisë paguhen nga taksat e shqiptarëve.
Fatkeqësisht, nga eksperienca ime në ERE, kur u vendos nga qeveria rritja e çmimit me pesë herë për konsumatorët mbi fashën 800 kilovat orë konstatova se ERE po votonte siç dëshironte qeveria. Madje ndërsa dëgjoja anëtarët e fort nderuar të bordit të ERE mu duk sikur dëgjoja drejtorët e drejtorisë së Ministrisë së Energjitikës dhe jo njerëz të votuar nga ky parlament për të mbrojtur interesin publik. Pra, ERE qe shndërruar në një drejtori brenda zyrës së ministrisë apo në varësi të kryeministrisë.
Nuk dëgjova për asnjë moment përfaqësues të këtij bordi, qoftë edhe njërin të paktën sa për të thënë që nuk janë në rresht për një, që të mbrojë interesin e qytetarëve. Pra, ata ngritën dorën dhe akoma më keq argumentuan me gjithë forcën e tyre prej profesionistësh se përse i japin të drejtë qeverisë. Skenë sureale.
Një javë më pas, kur kryeministri e kuptoi që në bilancin e opinionit publik kjo skema me rritjen 5 fish për familjet që harxhojnë mbi 800 kilovat në orë energji po dështonte. E njëjta trupë u rishfaq në të njëjtën zyrë të ERE ku unë isha gjithashtu e pranishme. Me të njëjtin patos që lexuan arsyet se përse do të votonin pro rritjes së çmimit me pesë herë më shumë, arsyet që kisha përmendur unë se pse cmimi nuk duhej të rritej
Më shumë se sa një skenë sureale e dalë nga romanet distopike, kjo qe një tragjedi në kuptimin e asaj demokracie institucionale dhe me parime europiane që ne duam dhe luftojmë për të ndërtuar këtu. Se si mundet vallë të pranojmë në qetësi që një institucion si ERE të veprojë si një noter i qeverisë dhe të ndryshojë sa herë do qeveria edhe duke shkelur mbi profesionalizmin e tyre çdo vendim të qeverisë?!
Ironia më e madhe është se i njëjti bord as nuk po denjon të mblidhet dhe të shqyrtojë kërkesat që i kam paraqitur, për revokimin e vendimit për rritjen e cmimit sepse asnjë nga faktorët që thanë në krye të herës nuk ndodhi.
Sigurisht, unë nuk dua të fajësoj ERE-n për dështimet e njëpasnjëshme të qeverisë në sektorin e energjisë. Nuk fajësoj ERE-n për aferat korruptive që behën në këtë sektor. Nuk i kërkoj ERE llogari për paaftësinë e drejtuesve qeveritar të këtij sektori. Ama thënë këtë, Bordi i ERE duhet të jetë i vetëdijshëm për rolin qe ka ne ngrehinën institucionale të shtetit shqiptar. Më së pari ky ent është aty për të mbrojtur qytetarin, konsumatorin, familjet nga dështimi, korrupsioni dhe paaftësia e qeverisë. Fatura e dështimeve, korrupsionit dhe paaftësisë nuk mund t’u ngarkohet qytetareve. Kjo është tërësisht e papranueshme.
1. Prodhimi energjisë dhe çmimi/struktura e kostos
Qeveria argumenton se arsyeja kryesore e kërkesës për rritjen me 5 herë të çmimit të energjisë për familjet që shpenzojnë mbi 800 kilovat orë vjen si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë që shitet në bursat ndërkombëtare.
Së pari, duhet të theksojmë se energjia të cilën ne përdorim sot e kësaj dite në Shqipëri është mbi 60% e prodhuar në vendin tonë, pra tek hidrocentralet tona. Vetëm pjesa e mbetur, pra diku tek 40-30% e saj, importohet nga jashtë.
Për vitin 2021 të dhënat tregojnë se mes energjisë së marrë nga KESH dhe nga BRE (Tregu i Lirë) se 72% e sasisë është ofruar na KESH (pra prodhim vendas) dhe 28% është blerë në tregun e lirë
Së dyti, çmimet në bursën e Hungarisë që është tregu ku Shqipëria blen energjinë elektrike kanë pasur luhatje të ndryshme gjatë gjithë vitit sidomos nga shkurti 2022. Mirëpo këto luhatje janë lehtësuar sidomos pas marrjes së vendimeve nga ana e Bashkimit Europian në lidhje me gazin dhe gjithashtu me zëvendësimin e importuesit të gazit dhe nisjen e përdorimit të LNG apo gazit të lëngshëm natyral.
Sot e kësaj dite, të dhënat nga bursa e energjisë në Budapest tregojnë se çmimi mesatar për muajin tetor deri më tani është 220 euro për megavat në orë dhe grafikisht ky çmim është thuajse i njëjtë me vlerën mesatare të të njëjtit muaj një vit më parë.
Me pak fjalë të kërkosh sot rritjen e çmimit të energjisë për familjet që përdorin mbi 800 kilovat me 5 fish më shumë kur çmimi mesatar për muajin tetor është po thuajse aq sa ishte një vit më parë është më shumë se sa abuzim. Të ngarkosh mbi 100 mijë familje shqiptare me një kosto shtesë në mesin e një rritje frenetike të çmimeve dhe duke parë në horizont një recesion ekonomik që do të përkthehet në një krizë të thellë është vrastare.
Së treti, për vitin 2021 evidentohet se 16% e shpenzimeve të FSHU që kërkoi rritjen e çmimit kanë qenë për energjinë e blerë nga hidrocentralet vendase (çmimi 1.5 lekë/KËh) ndërkohë që 84% e shpenzimeve të tjera janë përdorur për tregun e lirë. Në po të njëjtin raport evidentohet që të ardhurat e FSHU janë rritur me 10% në raport me një vit më parë.
“Sikurse vërehet në tabelën e mësipërme, pavarësisht rritjes së kostos së blerjes së energjisë për qëllim të furnizimit të klientëve fundorë që shërbehen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal është konstatuar një rritje e të ardhurave nga shitja e energjisë elektrike si rrjedhojë e rritjes së konsumit nga klientët jo familjarë me rreth 17% dhe rritjes të konsumit nga klientët familjarë me 4%. Ndërkohë të ardhurat totale të realizuara për vitin 2021 kanë ardhur në një rritje prej 10% krahasuar me ato të realizuara për vitin 2020.” (faqe 125 raporti ERE 2021)
Së katërti, të dhënat financiare tregojnë se qeveria shqiptare ka përdorur 500 mln euro nga borxhet që qeveria shqiptare ka marrë me taksat e qytetarëve, për të investuar në fushën e energjetikës. Tani, nuk mund të justifikohen thuajse gjysmë miliardë euro nga paratë e taksave duke ndërtuar histori që ne kemi investuar për Shqipërinë më shumë se sa 30 vite të marra së bashku.
Kjo sepse një situatë krize ka treguar një skaner të plotë të situatës së politikave energjitike në vendin tonë.
Për vitin 2021 ka pasur një rritje të blerjeve të energjisë nga burimet e rivonueshme apo panelet diellore. Rritja është me 5% dhe kjo rritje është e barabartë me rënien e importit të energjisë nga bursa e Hungarisë. Sikur qeveria shqiptare të mos angazhohej si kabinet për të miratuar mbi 34 leje për fshatra turistikë në zonat e mbrojtura por të mbështeste investime strategjike për parqet fotovolatike (pra parqet solare) sot do flisnim ndryshe.
Sikur, Bashkia e Tiranës që e ka kthyer Tiranën në kryeqytetin botëror të betonit të jepte leje dhe incentivonte energjinë e rinovueshme në vend që të shkatërronte parkun e liqenit me pallate shumëkatëshe. Sot, ne do të flisnim ndryshe.
Dhe se fundi, kam dëgjuar qeverinë që ka folur për herë të parë për taksimin e kompanive private që prodhojnë energji për të ardhurat e tyre ekstra si pasojë e krizës, apo ëindfall tax.
Në të vërtetë, ky është një propozim që e kam thënë që para një muaji në bordin e ERE. Një propozim që në fakt nuk shtrihet vetëm tek kompanitë që prodhojnë energji elektrike dhe kanë rritur koston si pasojë e krizës, nqs kompanitë operojnë në një treg të parregulluar dhe përfitojnë nga rritja e cmimeve. Në atë propozim i kam kërkuar dhe vazhdoj t’i kërkoj qeverisë që të përfshijnë edhe kompanitë e naftës në Shqipëri. Sidomos Klubin e Oligarkëve që ka rreth 10 muaj që ka vendosur çmimin mbi 200 lekë/litër që e paguajnë qytetarët nga xhepat e tyre dhe nga rroga e tyre të cilën më shumë se 20% ua ha inflacioni.
Në ka ndonjë biznes që përfiton në kurriz të qytetarëve nga spekulimi në këtë kohë është pikërisht klubi i oligarkëve që vendosin çmimin e naftës, çmimin e ushqimeve dhe kështu me radhë.
Merru atyre të ardhurat ekstra për fitimet e krijuara në kohë lufte. Mos u justifiko! Thjesht merrua dhe përktheji në paketa në shërbim të qytetarëve.
Top Channel