Partitë e mëdha shkelën ligjin/ PS tejkaloi tre herë më shumë shpenzimet, PD probleme me deklarimet

20/10/2022 11:20

Rublat ruse trazuan fushatën zgjedhore në 2017, por 4 vite më pas paratë dhe financuesit zemërgjerë rezultojnë të jenë sërish telash për partitë politike.

Një audit i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka arritur në përfundim se dy forcat politike kryesore, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike duhen ndëshkuar pasi nuk kanë deklaruar burimin e të ardhurave për 86 kandidatë për deputet.

Nga hetimit KQZ del në pah se Partia Socialiste është shkelësja më e madhe e ligjit zgjedhor, pasi  ka hapur jo vetëm thesin për fushatë,  por ka  tejkaluar  kufirin e lejuar ne Kodin Zgjedhor, i cili parashikon  se  një subjekt nuk mund të shpenzojë më shumë se sa trefishi i parave të përfituara nga buxheti i shtetit.

PS në total deklaron se ka shpenzuar 172 milionë lekë, nga 167 milion që ishte shuma e lejuar. Në raport  thuhet se tejkalimi ka shifrën e rreth 4.5 milionë lekëve dhe sipas parashikimeve ligjore partia ne pushtet duhet të gjobitet me vlerën e  5 milion lekëve.  Kandidatët  për deputet vijojnë të jenë problem për Partinë Socialiste, pasi për  17  prej tyre  nuk dihet ku i  siguruan  paratë për të bërë fushatë. Për këtë shkelje Partia Socialiste rrezikon të ndëshkohet nga 500  mijë deri 1 milion lekë.

Të njëjtin ndëshkim  e pret edhe Partinë Demokratike,  e cila nuk ka deklaruar burimin e të ardhurave  për  69 kandidatët e  saj për deputet.  Juristi  Indrit Sefa duke pranuar shkeljen ligjore kërkoi më shumë kohë për të justifikuar të ardhurat e  50% të listës se kandidatëve.  Demokratet nuk kanë justifikuar as shpenzimet për aktivitetin e fushatës me vlerën 6 milion lekë pasi nuk  kane fature apo kupon tatimor.

“Për arsye  objektive dhe për shkak të situatës që dihet kërkojmë më shumë kohë për të dorëzuar raportet”- thotë Sefa.

As aleati historik i demokrateve partia republikane nuk bëri përjashtim,  pasi  për tre kandidat  te saj nuk është  dorëzuar asnjë e dhënë për burimin e të ardhurave.

Ish-Lëvizja Socialiste për Integrim ka rezultuar pa probleme nga auditi i zhvilluar duke respektuar kufirin ligjor sa i takon shpenzimeve dhe depozitimit të dokumentacionit ku vërtetohen ato.

Ligji zgjedhor parashikon ndëshkim me gjobë për partitë politike, por Komisioneri Shtetëror Ilirjan Celibashi vendosi ti japë 10 dite kohë subjekteve për të deklaruar raportet në KQZ.

Lexoni këtu raportin e plotë të KQZ.

Top Channel