Marrëveshja për energjinë/ Tre vendet europiane, tubacion nga gadishulli Iberik

20/10/2022 18:40

Franca, Portugalia dhe Spanja arritën një marrëveshje për të zëvendësuar gazsjellësin e propozuar ndërmjet gadishulli Iberik dhe Francës me një korridor të gjelbër nënujor, i cili mund të transportojë hidrogjen.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez sqaroi se plani është të lidhet këto dy zona me njëra tjetrën dhe me tregun europian të energjisë përmes një tubacioni që kalon nga Barcelona, më tej në Spanjë në detin Mesdhe deri në Marseille të Francës. Përkohësisht, mund të përdoret për të transportuar gaz natyror, përpara se më vonë përmes tij të dërgohet hidrogjen.

Ne kemi rënë dakord për një projekt të ri që do të quhet “Korridori i Energjisë së Gjelbër” që do të lidhë gadishullin Iberik me Francën e për rrjedhojë, me tregun europian të energjisë midis Barcelonës dhe Marsejës. Tubacioni do të shërbejë për hidrogjenin dhe gazin e lëngshëm gjatë një periudhe tranzicioni të nevojshme për tregun europian të energjisë“- u shpreh Pedro Sanchez.

Projekti zëvendëson planin e mëparshëm të quajtur “MidCat” , e të propozuar një dekadë më parë, i cili u pezullua në vitin 2019 për shkak të çështjeve rregullatore dhe mungesës së financimit. Megjithatë, në kushtet aktuale kur Rusia po kufizon dërgesat e gazit në pjesën më të madhe të Europës si reagim ndaj sanksioneve për pushtimin e Ukrainës, ka pasur një ripërtëritje të interesit për të dërguar furnizimet e nevojshme nga Spanja drejt pjesës tjetër të kontinentit.

Spanja aktualisht ka gjashtë terminale të gazit natyror të lëngshëm për përpunimin e gazit që mbërrin nga deti, gjë që mund të ndihmojë BE-në të rrisë importet me një furnitor më të mirë. Por ka vetëm dy lidhje me kapacitet të ulët me rrjetin e gazit të Francës, i cili është ndërkohë i lidhur me pjesën tjetër të kontinentit të vjetër.

Top Channel