32-vjeçari humbi jetën pasi u ndalua nga policia/ Institucionet deklarata kontradiktore mbi vdekjen e të riut

20/10/2022 10:33

Ngjarja e rëndë, ndodhur sot pak pas mesnate në Tiranë, ku 32 vjecari Lear Kurti ndërroi jetë pasi u ndalua nga policia, vijon të jetë e mbushur me mister.

Fakti i vetëm është se i riu Kurti, sot nuk jeton më, ndërsa shkaku ka celur ‘ping pongun’, mes institucioneve. Iu vdiq policëve në duar, apo mjekëve?

Ndërsa njoftoi për ngjarjen Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, tha se: Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shendetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.

Ndërkohë pas interesimit Top Channel mësoi detaje nga ky aksion, sipas të cilit, 32-vjecari Kurti u dërgua me puls të dobët në komisariat. Burimet thanë se pas prangosjes i ndaluari ka qëndruar në një stol derisa ka mbërritur makina që e shoqëroi. Në momentet e pritjes aty kanë kaluar dhe shokë të tij që kanë komunikuar me policinë për arsyen e ndalimit. Gjatë rrugës për në komisariat ai ka shfaqur probleme shëndetësore si dridhje trupi dhe nxjerrje sekrecionesh. Pas mbërritjes në komisariat, ku po ashtu ka kamera, duke pare që gjendja mund të rëndohej deri në mbërritje të ambulancës është transportuar nga vetë policia në spitalin e Traumës ku ka mbërritur me puls të dobët dhe pas disa minutash ka ndërruar jetë.

Sakaq, Top channel është interesuar tek Spitali i Traumës ku ka mësuar se 32 vjecari nuk është ekzaminuar aty. Sapo është konstatuar se ka mbërritur pa puls është përcjellë në morgun e Tiranës.

Top Channel