Pedagogët protestë kombëtare, sindikata i bën ftesë edhe studentëve të bashkohen

19/10/2022 15:05

Edhe pse universitetet kanë hapur dyert më 17 tetor për nisjen e vitit të ri akademik, prej 3 ditësh auditorët në pjesën më të madhe të Fakulteteve janë bosh për shkak të revoltës së pedagogëve.

Studentët mblidhen në oborret e institucioneve arsimore ose qëndrojnë të ulur në banka në pritje të vendimit të profesorëve, teksa kanë realizuar me ta vetëm prezantimin.

Bojkoti i mësimit nga pedagogët, pritet të kulmojë ditën e nesërme në sheshin “Nënë Tereza” pranë korpusit universitar në një protestë kombëtare të thirrur nga Sindikata e Punonjësve të universiteteve, ku përveç akademikëve kërkojnë edhe mbështetjen e studentëve.

“Më 20 tetor ora 11 do mblidhemi në një protestë kombëtare me bojkot të plotë në rang kombëtar.”- thanë pedagogët.

Deklaratës së kryeministrit se realiteti i pagave është ndryshe dhe ka mospërputhje me atë që deklarohet, me të ardhurat e veturat që pedagogët zotërojnë, profesori i arkitekturës Petri Ilo i përgjigjet duke treguar kushtet e punës dhe jetës me largimin nga universiteti me bicikletë.

“Ne po anatemohemi, le të shkojnë në prokurori. Nuk zgjidhen këto gjëra kështu.”- tha pedagogu.

Pedagogët shprehen të indinjuar me reagimin e Ramës në këtë situatë për kontrollin e pasurive, që po përdoret sipas tyre për manipulimin e opinionit publik.

“Vetingu i thënë nga ai është një formë shantazhi. Në sot nuk jemi më shtresa e mesme, por e varfër. Pse pikërisht tani? Ky kontroll duhet ti ndodhte çdo shtetasi!!”- tha pedagogu.

Megjithatë pedagogët nuk kundërshtojnë që të përfshihen në procesin e vettingut.

“Le të fillojë nga unë i pari, por nuk mund të shpëtojnë anëtarët e qeverisë e ta kryejë dhe vetë kryeministri!”– tha ai.

Top Channel