Nuk deklaroi dënimin në formularin e dekriminalizimit/ SPAK kërkon burg për kreun e Bashkisë Mallakastër

19/10/2022 15:55

Prokuroria e Posaçme kërkon shpalljen fajtor dhe dënimin me një vit burg për kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailin, për mos deklarim të një dënimi në Greqi në formularin e dekriminalizimit.

Lajmi konfirmohet për Top Channel nga gazetarja Anila Hoxha, e cila ndoqi nga afër procesin gjyqësor, ku u dha edhe pretenca për kryebashkiakun Ismaili.

Hoxha tha se nëse do të gjendet fajtor nga Gjykata, Qerim Ismaili do vuajë dënimi i kërkuar nga SPAK zbret në 8 muaj burgi, për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Në nëntor të një viti më parë, SPAK mori të pandehur kryebashkiakun e Mallakastrës. Hetimi nisi pas padisë që i bëri Partia Demokratike kryebashkiakut socialist për faktin se ai kishte fshehur një dënim në Greqi, në formularin e dekriminalizimit.

SPAK mblodhi faktet dhe ngriti akuzë ndaj kryebashkiakut. Pas hetimeve të kryera nga SPAK është konkluduar se Qerim Ismailaj, ka konsumuar veprën penale ‘Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Në formularin e dekriminalizimit Ismailaj nuk kishte treguar se ishte dënuar me tre vite burgim në Greqi me akuzën e rrahjes, ndërkohë që ai ishte vënë në dijeni nga autoritetet greke për këtë vendim.

Më herët edhe prokuroria e përgjithshme sektori i dekriminalizimit kishte vërtetuar dënimin penal në Greqi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u vu në dijeni por në fund vendosi që të mos ia hiqte mandatin e kryebashkiakut me argumentin se vepra penale që ai kishte kryer në Greqi, në Shqipëri dënohet vetëm me gjobë.

Top Channel