I shpallur në kërkim ndërkombëtar/ Kush është ish-mjeku i burgut Eduart Ruçi, kërkoi 2000 euro për operacionin e të dënuarit

19/10/2022 16:16

Ish-mjeku i burgut të Peqinit, Eduard Ruçi është ekstraduar nga Italia drejt vendit tonë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin penal të datës 06.02.2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Ruçi në vitin 2019, gjatë kohës që ushtronte profesionin e mjekut, në spitalin e burgut të Peqinit dyshohet se i ka kërkuar shumën 2000 euro të afërmit të një dënuari me 35 vjet burgim për vrasje, që të përpilonte një raport mjekësor për dërgimin e të dënuarit në spital për të kryerjen e një operacioni.

Rasti i korrupsionit u denoncua nga emisioni “Fiks Fare”, para tre vitesh më 11 nëntor  dhe një ditë më pas u shkarkua nga detyra e tij.

Gjithashtu, gjatë kohës së ushtrimit të kësaj detyre, 51-vjeçari dyshohet se ka patur dijeni për një të dënuar që mbante aparat celular në ambientet e burgut, por nuk ka kallëzuar.

Top Channel