I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht propozimin franko-gjerman për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa nënvizoi se diplomatët evropianë thonë që kjo është çështje javësh.

Ai i bëri këto komente gjatë një interviste për televizionin Kanal 10 në Prishtinë, duke theksuar se çdo propozim nga shtetet evropiane për dialogun, duhet të trajtohet seriozisht.

Ne do ta mbështesim këtë. Ne mendojmë, se sikurse na është shpjeguar, ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht Serbisë, në integrimet euro-atlantike. Po, e mbështesim plotësisht. Dhe, më duhet të shtoj se ne gjithmonë e kemi përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe ne do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat tjera evropiane”, tha Escobar.

Escobar tha se ka dëgjuar nga kolegët e tij evropianë se arritja e një marrëveshjeje është çështje javësh dhe jo vitesh.

“Një marrëveshje për rrugën përpara. Prandaj, përtej kësaj, u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit që të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë. Duke marrë parasysh kontekstin e asaj që po ndodh, secili duhet të marrë përgjegjësi për të krijuar qëndrueshmëri, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon”, tha ai.

I dërguari amerikan, qëndroi të mërkurën në Prishtinë, ku u takua me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, udhëheqësit e partive politike në opozitë dhe të Listës Serbe.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka ftuar për të premten një takim me partitë opozitare, ndërsa sa i përket nismës franko-gjermane ka theksuar më herët se “nuk ka diçka përfundimtare apo vendimtare…”.

Escobar, të enjten do të qëndrojë në Beograd ku do të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili ditë më parë tha se Franca dhe Gjermania kanë paraqitur një dokument me të cilin kërkojnë që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por pa e njohur pavarësinë e saj.

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha javën e kaluar se Kosova dhe Serbia nuk duhet të shpërdorojnë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian në vitin 2024.

Presidenti serb Vuçiç, tha se është përballur me kërkesa për një afat shumë më të shkurtër, madje siç tha ai, kërkesat kanë të bëjnë me çështje javësh apo muajsh.

Tensionet e verës së këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth përdorimit të dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave nxitën një reagim më të ngjeshur diplomatik për të shmangur përplasjet në një periudhë zhvillimesh të ndjeshme politike në Evropë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Me 27 gusht, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, ndërsa më 31 tetor përfundon afati për konvertimin e targave të makinave për qytetarët serbë që përdorin targa të lëshuara nga Serbia. Me vendimin e qeverisë përdoruesit e këtyre targave duhet t’i kthejnë në ato të Republikës së Kosovës RKS, por kjo kundërshtohet nga Beogradi.

Escobar i tha Kanalit 10 se së bashku me diplomatët evropianë ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të shtyjnë afatin e konvertimit të targave të makinave për dhjetë muaj dhe tashmë janë në pritje të përgjigjes.

Ai tha se palët duhet të përmbushin marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa ritheksoi qëndrimin amerikan se ai “duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duhet t’u përmbahet ligjeve të Kosovës dhe nuk duhet të ndikojë në funksionalitetin e Kosovës”.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe shumicës se vendeve perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia e mbështetur nga Moska./ Zëri i Amerikës

Top Channel