Ish-kryeministri, Sali Berisha komentoi sot deklaratat e një dite më parë të Edi Ramës gjatë takimit me rektorët e universiteteve.
Ai u shpreh se Rama kërkon Vetting të pedagogëve, kur vetë nuk justifikon dot shtëpinë e tij.
Berisha: Rama me një urrejtje të papërshkruar ndaj pedagogëve i privoi nga procesi i gradimeve shkencore. Sot, elita e kombit tonë, e cila ka si shtëpi të saj, universitetet e vendit, është në grevë, është në protestë për kërkesat më elementare, që mund të paraqesë një trupë akademike.
Elita akademike universitare përbën një pasuri të çmuar për kombin, de facto përbën truri e kombit. Përbën pa diskutim promotorin e dijeve për zhvillimin e vendit, përbën një investim të jashtëzakonshëm, që qytetarët shqiptarë kanë bërë për formimin e tyre.
Kjo elitë, në vitet e fundit u keqtrajtua në mënyrën më të pamerituar. Kjo elitë si në asnjë vend tjetër të Europës dhe botës, për tetë vite, u privua tërësisht nga procesi i gradimeve shkencore, që përbën shtyllën më kryesore të kërkimit shkencor në universitetet e të gjithë botës. Në doktoratura që drejtohen nga katedra dhe departamente, qëndrojnë universi i shpikjeve, i zhvillimeve, i studimeve shkencore të rëndësishme, dhe i lartësimit të godinës së dijes të çdo vendi.
Me një të rënë të lapsit, me një urrejtje të papërshkruar ndaj pedagogëve, ata u privuan nga ky funksion jetik për zhvillimin, përparimin, lartësimin, konsolidimin e tyre si elitë kombëtare.
Këtë e pësuan një lloj, demokratë, socialistë, të paparti, çfarë ishin pedagogë. E kemi ngritur dhjetëra herë në parlament një gjë të tillë. Institucioni i vetëm që vazhdonte doktoratura ishte institucioni që kishte dorëzuar një mega-ryshfet në qeveri. Pra një institucion privat. Institucionet publike nuk lejoheshin nga ministria që të udhëheqin doktoratura.
Mirëpo qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se doktoraturat janë elementi më thelbësor i kërkimit shkencor. Ai që e kryen dhe ai që e udhëheq, arrijnë të japin një produkt, herë-herë edhe themelor dhe origjinal për shkencën, pavarësisht se jemi në Shqipëri. Kjo ka ndodhur edhe në vitet e diktaturës, jo më sot.
Berisha: Ligji i tij i xhepit prevalon, ka fytyrë ky t’u kërkojë veting pedagogëve që thotë se e kam blerë me 2 dollarë parkun që ka para shtëpie. E ku është parku, në zonë të ndaluar, ai që u përmend Vetingun, ai ka për vete saraje, 57 metra të gjata themelet, ja kush flet për pastërti figure. Ai tha se u bë përmes parave të emigracionit, por faturë nuk ka, ta tregojë një faturë të vetme. Ai kërcënon me mbyllje, u mbylla thotë, ai ka çuar hordhitë tatimore poshtë e përpjetë për të bërë presione nga më të paligjshme, dhe ngulmon kur thotë do marr student nga jashtë. Ai po sulmon për të shkatërruar inteligjencën shqiptare, do të krijojë elitën e patronazhistëve. Dekaptimi i elitës ishte gjëja e parë që bëri Enver Hoxha, dhe ai kërkon që të largohen ata, të marrin valixhet se kudo që shkojnë marrin një rrogë më të mirë se kaq. Ai po shkatërron sistemin e shëndetësisë, u bëj thirrje bluzave të bardha se po shohin sistemin të shkatërrohet para syve të tyre.
Top Channel