Pasi vizitojë një hotel në Gjirokastër me emrin e trëndafilit, kryeministri Edi Rama duke folur për krizën botërore të çmimeve dhe energjisë tha se kjo situatë globale si pasojë e luftës në Ukrainë, nuk e bën aspak rozë situatën edhe në vendin tonë.
“Një luftë bërthamore që do të thotë fundi dhe natyrisht që pavarësisht se nuk jemi aty ku hidhen bombat dhe aty ku është zemra flakëruese e këtij konflikti të madh botëror, jemi nën goditjen e inflacionit të kësaj lufte, të luftës së Vladimir Putin, të agresionit ekstrem jo ndaj Ukrainës, por ndaj Perëndimit sepse basti i Putinit është rrëzimi i Perëndimit nga dimri.”– tha Rama.
Nuk mund të jetë vetëm qeveria tha kryeministri që ndërmerr rritje pagash. Ftoi biznesin të indeksojë pagat.
“Edhe juve ju them, është koha për të mos menduar më me logjiken e “hë se mbajnë këta”, është koha për të mos menduar më, është koha për të paguar më shumë punonjësit, për t’i pasur këtu, edhe për t’i kthyer këtu, pse jo? Për t’i kthyer këtu nga Greqia, se vërtetë mund të marrin pak më shumë në Greqi, por paguajnë edhe më shumë se nuk kanë shtëpinë e tyre dhe nuk kanë shumë gjëra të tjera që atje duhet t’i paguash. Por si mund të kthehen në rast se paga, minimalja nuk është më e lartë.”– tha Rama.
Kryeministri e ripërsëriti apelin për kursin të energjisë elektrike.
“Ne edhe sikur ti kemi hidrocentralet plot, ne përmbushim vetëm 75% të nevojave, ai 25% akoma duhet importuar, prandaj po investojmë në parqet me energji diellore, prandaj po futemi dhe në energjinë e erës, prandaj po investojmë edhe për termocentralin e famshëm dhe famëkeq në Vlorë që në fund do vihet në funksion të ekonomisë shqiptare.”– tha Rama.
Në ditën e dytë të turit paraelektoral të zgjedhjeve lokale, kryeministri në Gjirokastër vizitoi një prej strukturave hoteliere më të reja në këtë qytet. Pa nga afër edhe ecurinë e ndërtimit të parkimit nëntokësor prej 300 vendesh, i cili është drejt përfundimit dhe i jep qytetit një qendër të madhe këmbësore duke shmangur trafikun nga Pazari i Vjetër.
Top Channel