Ndërsa fermerët ankohen çdo ditë se po hedhin prodhimet e tyre, importet e prodhimeve bujqësore u rritën 3 herë më shumë se eksportet përgjatë shtatorit.
Ndërkohë në 9-mujor vetëm tek zarzavatet rritja në importe rezultoi 56% më e lartë, ndërsa eksportet u rritën me vetëm 1.1%.
Ekspertët e fushës thonë se shifrat tregojnë situatën problematike që ndeshin fermerët jo vetëm për shkak të rritjes së kostove, por kryesisht si pasojë e politikave të gabuara të ndërmarra nga qeveria.
“Jo të gjithë prodhimin e perimeve mund ta prodhojmë në një sezon të caktuar. Në këtë fazë ku jemi, një sasi e caktuar prodhimesh që nuk janë rentabël për fermerët, nuk janë dobiprurëse, kompanitë importuese preferojnë ti marrin nga importi që janë më të lirë. Po ashtu një tjetër fenomen që ka ndikuar negativisht është mosrimbursimi I TVSH-së për fermerët dhe kjo ka bërë që kompanitë e importit ta cojnë vëmendjen drejt importit të këtyre prodhimeve”, shprehet eksperti Agim Rrapaj
Në kushtet kur qeveria po bëhet gati për buxhetin e vitit të ardhshëm, ekspertët bëjnë apel për më shumë fonde për bujqësinë si dhe rishikim të politikave fiskale që po dëmtojnë fermerët.
“Duhet që edhe fermerët të grumbullohen tashmë që të formalizohen, të përfitojnë sa më shumë fonde, të përfitojnë sa më shumë kredi me kushte të lehtësuara, të rrisin cilësinë e produktit. Duhet ndryshuar paketa fiskale për të ndryshuar rimbursimin e TVSH-së, është domosdoshmëri. Buxheti që po punohet tani duhet të kalojë një masë më të madhe mbështetje për bujqësinë” – shton eksperti.
Përgjatë 8-mujorit vendi ka importuar produkte ushqimore, pije e duhan me një vlerë gati 960 milionë euro, vlera e këtyre mallrave të eksportuara jashtë arrin në vetëm 310 milionë euro, gati çereku i importeve të këtij grupi.
Top Channel