PD drejt bashkimit, Bardhi pas takimit me Palokën: Duhet të bashkëpunojmë për të gjetur një kandidat fitues

18/10/2022 18:44

Pas takimit të zhvilluar me Edi Palokën për negociatat e bashkimit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka folur në një prononcim për mediat, duke thënë se takimi ishte konstruktiv.

Deputeti Bardhi u bëri thirrje demokratëve që të mos jenë ‘të ngrirë’ në këtë proces bashkimi, duke theksuar se njëanshmëria nuk e ndihmon këtë proces.

Bardhi tha se dy palët duhet të gjejnë jo vetëm një kandidat të përbashkët përmes mirëkuptimit, por duhet të jetë një kandidat që të fitojë zgjedhjet e ardhshme vendore.

Nuk do të zbardh në detaje duke ju kërkuar dhe ndjesë opinionit publik për atë që kam biseduar. Dua të konfirmoj se takimi ka qenë konstruktiv dhe me frymë mirëkuptimi për të gjetur një mekanizëm që siguron bashkëpunim të sinqertë mes demokratëve. Asnjëri s’ka patur diskutim për çështje të caktuar. Apeli im është që njëanshmëria nuk e ndihmon këtë proces. Demokratët kanë nevojë të jenë bashkë për të mundur Edi Ramën dhe këtë proces e dëmton vetëm njëanshmëria. Çdo rrugë e njëanshme që synon imponimin ndaj një pjese të demokratëve nuk do ishte zgjidhje për të mundur Edi Ramën.

Nuk kam ndërmend të bëj bisedime para kamerave. Sot kam shkëmbyer disa mendime me Palokën për të gjetur një  rrugë si bashkëpunojnë demokratët. Kur flas për njëanshmëri, flas për pozicione të ngurta të secilës palë. Nëse secila palë qëndron e ngurtë në pozicionin e vet, bashkëpunimi minohet. Nëse kemi hyrë në mënyrë të qetë në proces, nuk duhet të minojmë dialgoun.

Ajo që po them është e qartë për anëtarët e PD, për demokratët e qytetarët që duan të sjellin ndryshimin në zgjedhjet e ardhshme vendore. Duhet të krijohet një moment bashkëpunimi i sinqertë për të gjretur një kandidat të përbashkët fitues.”- tha Bardhi në pronocimin për mediat.

Paloka dhe Bardhi, të cilët janë mandatuar si negociatorë për bashkimin e demokratëve në kuadër të zgjedhjeve vendore,  zhvilluan sot përpjekjen e parë të bashkimit të partisë, ndërsa motorët për zgjedhjet vendore të 2023 janë ndezur. Gazment Bardhi nga grupimi i Alibeajt dhe Edi Paloka nga Rithemelimi, u takuan për më shumë se 60 minuta, takim i cili nuk prodhoi rezultate konkrete.

Në përfundimin të takimit me kolegun Bardhi, Paloka u shpreh se takimi nuk ka dështuar ndërsa shtoi se ka vullnet të përbashkët për të dalë me një kandidat në zgjedhjet e ardhshme vendore. “Kur të kemi diçka do ju njoftojmë, ka vullnet të përbashkët për të dalë me një kandidat. Nuk ka dështuar takimi” u shpreh Paloka, duke lënë të hapur mundësinë e një tjetër takimi gjatë ditës së sotme.

Takimi mes Gazmend Bardhit dhe Edi Palokës u zhvillua pa praninë e mediave, në një prej lokaleve të Tiranës në afërsi të parlamentit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA