Demokratët i qëndruan parimit se hallet  e shqiptarëve zgjidhen në “kafe”, por një kafe nuk mjaftoi që palët të gjenin mekanizmin e duhur për të dalë me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e  pranverës.

Negociatorët e dy grupimeve brenda Partisë Demokratike, Edi Paloka dhe Gazment Bardhi, ndonëse deputetë të dalë nga e njëjta parti, tentuan që formulën e bashkimit mekanik të demokratëve ta gjenin  në një bar që ndodhet pak metra  larg selisë blu. Edhe pse takimi 90 minutësh nuk prodhoi asnjë produkt konkret, të dy negociatorët nuk folën për dështim, por nuk brohoritën as për sukses.

“Diskutimet vijojnë…”, tha Bardhi.

“Jo nuk ka dështim, por ka  vullnet për të dalë më një kandidat të përbashkët”, u shpreh Paloka.

Pasi biseduan sy më sy, rrugët e Edi Palokës dhe Gazment Bardhi u ndanë serish, njëri drejt selisë blu për të informuar Sali Berishën dhe tjetri drejt Kuvendit për të biseduar me Enkelejd Alibeaj, i cili bashkë me grupin qe drejton dyshon në sinqeritetin e palës tjetër për sa kohë Berisha ka vendosur të mos presë  tymin e negociatave, por të ecë para me primaret.

“Sot ne jemi mbledhur për miratimin e udhëzuesit që ka të bëjë me modalitetet e pjesëmarrjes së simpatizantëve në primaret për zgjedhjet e pushtetit vendor 2023, si dhe hapja e garës së primareve për pushtetin vendor në të gjitha degët e Partisë Demokratike. Udhëzuesi ka dhe datat e veprimeve konkrete”, tha Berisha.

Vendimmarrja e Berishës nuk vuri në pikëpyetje për momentin vijimin e dialogut, por dha një sinjal për brishtësinë e tij  nëse vijohet me vendime që udhëhiqen vetëm nga njëra palë.

Apeli im, njëanshmëria nuk e ndihmon këtë proces. Kur flas për njëanshmëri flas për pozicione të ngurta të secilës palë brenda grupit parlamentar, nëse qëndron secila palë e ngurtë, bashkëpunimi minohet. Duhet të krijohet një moment bashkëpunimi i sinqertë mes demokratëve për të gjetur një kandidat të perbashkët fitues, jo vetëm një kandidat të përbashkët”, tha Gazment Bardhi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA