Kryeministri i vendit Edi Rama, gjatë një komunikimi ditën e sotme me qytetarët e Përmetit ka akuzuar opozitën, për të cilën tha se ka gisht në cilësimin e Shqipërisë si “çerdhja e krimit”.
Ai tha se nuk është për ti vënë faj ndërkombëtarëve që kundërshton amnistinë fiskale, pasi është vetë opozita ajo që gjykon emigrantët për kursimet e 30 viteve duke i quajtur ata produkte krimi, kur në fakt janë produkt djerse dhe punë e pastër.
“Është një tatim i një kohe të jashtëzakonshme ku nuk është e mundur që një grup njerëzish, pavarësisht se kemi të gjithë respektin për ta, kompani të mëdha që kanë investuar për struktura të prodhimit të energjisë, të nxjerrin fitime marramendëse ndërkohë që ne këtu diskutojmë që nuk mund t’i rrisim dot këto tre muaj aq sa duhet pagat e zjarrfikësve, se e kam peng që llogaria na pengoi që ta bënim që tani dhe i rritëm 7% ndërkohë që ata janë njerëz që çdo vit e më shumë përballen me një botë që ka gjithmonë e më shumë zjarre dhe me një Shqipëri që ka gjithmonë e më shumë zjarre. Njerëz që hidhen në zjarr realisht. Prandaj taksa që ne duam të vendosim është jo një taksë për të rritur të ardhurat në mënyrë abstrakte, por për tu kaluar nga prodhuesit tek njerëzit drejtpërdrejtë. Ne i kemi indeksuar dy herë pensionet si asnjëherë më parë. Dhe sot kemi një rritje të pensionit si asnjëherë më parë me 10%, por nuk mjafton dhe prandaj kemi bërë gati bonusin për pensionistët në prag të fundvitit. Përsëri, ashtu sikundër kemi bërë gati zerimin e taksës për të gjitha pagat deri në 500 mijë lek, jo vetëm përgjysmim, por zerim, se i kemi të përgjysmuara. Të gjitha këto nuk e zhdukin i inflacionin nga sytë tanë, por e zbusin efektin e tij dhe nga ana tjetër do vazhdojmë të mbështesim të gjitha nismat në turizëm dhe agroturizëm, fuqishëm.
Sot vetëm në pak vite pas kësaj politike të re për nxitjen e agroturizmit dhe për mbështetjen e bujtinave të reja, e transformimit të shtëpive të gjysheve dhe gjyshërve në biznes, kemi një fillim të një lulëzimi të një industrie ose të një komponenti të ri të industrisë sonë të turizmit. Unë jam i bindur që në këtë 10 vjeçar ne do të jemi një nga vendet më agroturistike të Mesdheut dhe kur them këtë, e kam mirë parasysh se me kë konkurrojmë, se kush është sot në atë kategori, por do të jemi.
Kemi një natyrë të bekuar dhe kemi njerëz si ju, plot njerëz si ju.
Kemi njerëz që janë kthyer nga emigracioni këtu, kemi njerëz që kanë ardhur nga Tirana këtu sepse kanë kuptuar që fitohet më shumë dhe jetohet me më pak stres sesa në rrëmujën dhe në rrëmetin kur thoshte Naimi të vendeve ku për një periudhë të gjatë kohe kanë bërë lloj-lloj punësh në emigracion dhe tani me kursimet e tyre nxjerrin më shumë, pakrahasimisht me çfarë nxirrnin si punonjës për dikë tjetër në emigracion dhe kjo është thirrja që i bëj përsëri emigrantëve dhe për këtë po luftojmë për amnistinë fiskale dhe do luftojmë deri në fund. Është e papranueshme që të na tregojnë krimin dhe kriminelet, ngri e ul krime e kriminelë si puna e atyre organeve të trafikuara që mbetën stampë mbi flamurin tonë kombëtar dhe që morën dhenë dhe një gënjeshtër e madhe u kthye në një stampë. “Ah, këta janë ata që merren me trafik organesh”, një pocaqi. Patjetër që shqiptarët bëjnë emër dhe në botën e krimit nëpër botë, por janë një pakicë 1%, më pak se 1%. Ndërkohe që 99% e tyre janë njerëz si ata që janë këtu, që kanë ardhur dhe madje janë martuar dhe me vajza të atyre vendeve ku kanë qenë, kanë bërë familje dhe këtu kanë hapur dyert dhe mbajnë ekonominë e tyre familje, ndihmojnë ekonominë e qytetit, si qenkan këta kriminelë? Si u fuskan të gjithë në një thes? Si u bëkan kursimet e tyre të tëra me një stampë tjetër, prodhim i krimit? Është e papranueshme kjo gjuhë që guxojnë të përdorin në lloj-lloj gjuhësh të huaja ndaj nesh, por ata nuk kanë asnjë faj sepse jemi ne këtu të parët. Është e djathta e rublave ajo palo opozitë e zhytur në thesin e rublave, një pjesë e të cilit ka dalë në dritë, po ka një pjesë tjetër që është ende e pa nxjerrë në dritë. Se nuk është rastësi edhe për atë stampën që mori një komb i tërë në ballë si një komb egërsirash që edhe në një luftë çlirimtare nxirrnin organet e njerëzve si kanibalë edhe i trafikonin. Unë jam i bindur që ka gisht në një mënyrë ose në një tjetër pikërisht kjo që sot, prej kaq vitesh, përditë e përditë, përnatë e përnatë, ul e ngre Shqipërinë si çerdhen e krimit. Vetëm e vetëm për luftë politike e për luftë për pushtet, se nuk ka sesi shpjegohet harmonia e plotë mes partisë që sot e ka goditur botën me inflacionit të luftës, Putinit dhe partisë dje në pushtet të atyre që sot bërtasin “Shqipëria në rrezik”. Nuk ka asnjë mundësi! Aty ishim të gjithë. Pse ne e kundërshtuam dhe nuk e votuam atë rezolutë? Pse ata e votuan? Sepse janë ata që hedhin gurin dhe fshehin dorën dhe vënë kujën, “kapni hajdutin”.
Për të ardhur përsëri te biseda, nuk është për t’i vënë faj miqve ndërkombëtarë, partnerëve ndërkombëtarë, cinikëve ndërkombëtarë, janë shumë, janë lloj-lloj, kur ja japin gojës pa asnjë siklet, duke i futur të gjithë në një thes dhe duke e trajtuar përpjekjen tonë kushtetuese, e ka Kushtetuta amnistinë, është e shkruar për të legalizuar 30 vite gjak, djersë, kursime si një përpjekje të dyshimtë për të ndihmuar, lehtësuar, pastruar produktet e krimit. Një skandal i paimagjinueshëm, por ne do vazhdojmë përpara se kjo është gjëja e duhur dhe gjëja e drejtë. Sa shqiptarë kanë vajtur në Britaninë e Madhe me emër tjetër si të larguar nga lufta me persekutimet në Kosovë sepse ishin në pikë të hallit dhe donin një zgjidhje. Sa vite kanë punuar ashtu? Ku do i çojnë ata kursimet e tyre të punës pa orar, të punës në të zezë që nuk e kanë shpikur shqiptarët, po të cilën e kërkojnë dhe e paguajnë pronarët në këto vende. Nuk i lëmë ata në rrugë. Ashtu si plot e plot të tjerë në Greqi, Itali e kudo. Nuk i lëmë.
Do bëjmë të gjitha ato që duhen. Do të bëjmë dhe amnistinë për të cilën në radhë të parë duam të kemi një draft sa më të dakordësuar me miqtë dhe partnerët tanë se s’është një gjë që duam ta bëjmë në mënyrë konfliktuale, as si karshillëk ndaj askujt se s’është fare ky qëllimi. Qëllimi është ta bëjmë këtu për njerëzit tanë, për vendin tonë dhe pastaj do duhet të gjejmë dhe mbështetjen e nevojshme në parlament që është fazë tjetër.
Nuk po ju mbaj më gjatë me fjalët e mia se unë e kam diellin anash ju e keni një çikë si më përballë, po kush dëshiron të thotë diçka, nëse dëshiron të thotë, me shumë kënaqësi jemi këtu për ta dëgjuar ashtu sikundër me shumë kënaqësi jemi këtu për të dëgjuar vërejtje, kritika, sugjerime çfarëdo qoftë.
Para se t’ia u kaloj fjalën, ju shpreh të gjithë respektin dhe mirënjohjen për shembullin që jepni, për punën që bëni se nuk është vetëm për të ardhurat në familjet tuaja, nuk është vetëm për lehtësinë relative në jetën tuaj, po është dhe frymëzim për të tjerë. Se kështu thotë populli: Shikon rrushi, rrushin dhe piqet. Kur kemi ardhur para ca kohësh, Vila Përmeti ishte dallëndyshja e parë në gjithë këtë zonë ku s’kishte rrugë. Edhe ai djali, me shumë pasion, me shumë këmbëngulje ndezi qiririn e tij. Siç thotë nënë Tereza, “në vend që të mallkosh errësirën, ndiz një qiri”. E ndezi qiririn e tij. E bëri dritën e tij. Pastaj drita filloi të përhapej. Vazhdoi Mirela me Almën me gjithë kalldrëmet. Vazhduan të tjerë. Sot me shumë kënaqësi pashë që të tjerë po punojnë dhe kështu kjo zonë, kjo zemër e ndaluar e Përmetit për aq shumë vite, e fshehur pas pluhurit dhe pas ferrave, zhytur nëpër gropa, do të bëhet një burim ekonomie, jo vetëm për ato familje, por për gjithë komunitetin. Kështu zonat me radhë do bashkëngjiten me njëra tjetrën dhe në këtë parajsë që Zoti, apo natyra për ata që nuk besojnë në Zot, i ka dhuruar këtij vendi, Shqipërisë po edhe njerëzve të Përmetit, do ndryshojë gjithçka.” u shpreh Rama.
Nga Përmeti nisi sot turi i takimeve të Kryeministrit Edi Rama në bashkitë e vendit, ku do të diskutohet mbi punët e qeverisjes vendore, investimet e reja dhe përballimin e sfidave të kohës, në prag të një dimri që gjithmonë e më shumë është pagëzuar si dimri më i vështirë pas Luftës së Dytë Botërore, pasojë e inflacionit të luftës së Putinit kundër lirisë e demokracisë perëndimore.
Top Channel