Një diamant i verdhë, që është vlerësuar 15 milionë dollarë, është zbuluar së fundmi në Dubai nga shtëpia e ankandeve Sotheby’s.

Diamanti i quajtur “Golden Canary” thuhet se është një nga diamantet e prerë më të mëdhenj në botë, me peshë 303.1 karat. Sophie Stevens, eksperte e gurëve të çmuar “Sotheby’s” tha se:

“Është një nga diamantet më shkëlqyes në botë, që është zbuluar nga Institutit Gjeologjik Amerikan. Më herët këtë vit është zbuluar edhe një diamant tjetër, 111 karat, në ngjyrë të veçantë, kafe të lehtë, që iu shit një koleksionuesi privat. Ndaj mund të them që ka një interes të jashtëzakonshëm për diamantet, sidomos ato të rrallët”.

“Golden Canary” është shfaqur fillimisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, përpara se të nisë një tur botëror për t’iu prezantuar koleksionuesve dhe të apasionuarve pas gurëve të çmuar në Hong-Kong, Taipei dhe Gjenevë.

Më pas, ai do të dalë në ankand në New York më 7 dhjetor, ku pritet të shitet edhe mbi 51 milionë dollarë.

“Golden Canary” është zbuluar në fillim të viteve ’80 në Republikën Demokratike të Kongos, nga një vogëlushe që po luante nën rrënojat e një shtëpie, që filloi më pas të luante me gurin e rrallë, për të cilin shumë më vonë u zbulua se ishte diamant.

Rikujtojmë, se një diamant rozë i rrallë u shit në një ankand në Hong Kong për 58 milionë dollarë, duke vendosur një rekord të ri për çmimin e paguar për një karat.

Guri i çmuar 11.15 karatë, është quajtur “Williamson Pink Star” në homazh të dy diamanteve të tjerë rozë.

Top Channel