Paketa anti-krizë prej 360 milionë eurosh e miratuar nga qeveria në Shkup për kategoritë e rrezikuara sociale, pensionistët, institucionet arsimore dhe shëndetësore, si dhe biznese të caktuara, i ka lënë të pakënaqur maqedonasit.
Qytetarët ankohen se ndihma financiare prej rreth 50 eurove, përkatësish 25 euro për kategorinë e qytetarëve me status të rrezikuar social dhe për pensionistët, është e pamjaftueshme kur merret parasysh vala e shtrenjtimit të produkteve bazë.
“Shpenzimet për ushqim janë rritur në 150 për qind. Mezi arrijmë t’ia dalim në fund të muajit. Kursejmë sa të mundemi, por kjo nuk mjafton, pasi çmimet po rriten çdo ditë”, thotë njëri prej tyre, Rubin Kuzmanovski.
Ndërsa Sherif Selami, që përfiton ndihmë sociale, llogarit që të marrë diku tek 200 euro brenda katër muajve, shumë kjo të cilën e konsideron qesharake përballë rritjes së çmimit të produkteve ushqimore, siç thotë ai, me 100 për qind.
“Vitin e kaluar, një bukë e blija 20 denarë, sot është 50 denarë. Vaji ishte nga 65 denarë, tani është 150 denarë – çfarë ndihme është kjo”, shprehet Selami. Pensionistë thonë se kjo ndihmë nuk u del as për ilaçe.
Sipas të dhënave të Entit të Statistikave në Maqedoninë e Veriut, shporta e konsumit për një familje me katër anëtarë ka arritur në 50.000 denarë apo rreth 800 euro, ndërkohë që paga mesatare është pak më shumë se 500 euro.
Ekspertët mendojnë se kjo paketë masash nuk i zgjidh problemet e nuk është e qëndrueshme. Sipas tyre, qeveria maqedonase duhet të parandalojë edhe rritjen e çmimeve jo vetëm përmes kufizimit të marzhit, por edhe me ndryshimin e politikave tatimore, ndërsa bizneset ankohen se nëse nuk do të ketë subvencione për energjinë elektrike, shumë kompani do të detyrohen të mbyllin përkohësisht kapacitetet prodhuese.
Top Channel