Liverpool-Manchester City ishte një ndeshje që prodhoi emocione në çdo sekondë që u luajt në “Anfield”. Lojtarët e klasit botëror në radhët e të dyja skuadrave dhuruan show, ndërsa në fund The Reds fituan falë golit të Mohamed Salah.
Mirëpo, ata që mesa duket nuk u ngritën në lartësinë e ndeshjes ishin tifozët.
Pas sfidës, Pep Guardiola u ankua se ishte goditur me monedha nga ana e tifozerisë së Liverpool ndërsa së fundmi, te City akuzojnë edhe për një sulm të autobuzit të skuadrës. Sipas Bluve të Manchesterit, autobuzi është goditur me sende të forta nga ana e tifozëve të Liverpool duke marrë dëmtime të konsiderueshme. Një episod i tillë është përsëritur edhe në vitin 2018 kur të dyja skuadrat në atë kohë përballeshin në çerekfinalet e Champions League, teksa ishte sërish autobuzi i “The Citizens” që e pësonte.
Gjithsesi, për t’u rikthyer edhe sërish te ndeshja e së dielës, edhe ata tifozë të Cityt që kishin udhëtuar drejt “Anfield” nuk patën një sjellje shembullore teksa në tribunat e tyre nuk ngurruan të këndonin në kor për tragjedinë e Heysel aty ku shumë tifozë të Liverpool humbën jetën pas shembjes së një prej tribunave së stadiumit belg.
Top Channel