Irani akuzon ‘Satanin e Madh’ SHBA, për ‘nxitje të kaosit e terrorit’ (fotot)

17/10/2022 18:59

Presidenti iranian Ebrahim Raisi akuzonte dje presidentin amerikan Joe Biden për “nxitje të kaosit” pasi shprehu mbështetje për demonstratat kundër vdekjes së Mahsa Amini, e reja që humbi jetën në ambjentet e policisë iraniane një muaj më parë.

Protestat nisën muajin e kaluar kur 22 vjeçarja Amini, vdiq teksa ishte marrë në paraburgim nga “policia iraniane e moralit”, siç raportohet, për shkelje të kodit islamik të veshjes për gratë.

“Komentet e presidentit amerikan, i cili nxit kaosin, terrorin dhe shkatërrimin e vendeve të tjera, shërbejnë si një kujtesë për fjalët e mençura të themeluesit të republikës islamike, që quajti SHBA, Satani i Madh”, tha Raisi duke iu referuar ish-liderit të ndjerë të vendit, Ayatollah Ruhollah Khomenei.

“Komploti armikut duhet të ndalet me masa efektive për të zgjidhur problemet e njerëzve”, tha Raisi, sipas deklaratës së lëshuar nga zyra e presidentit.

Ndërkohë viktimat në protestat e fundit arrijnë në disa dhjetra. Shumica kanë qenë protestues, si dhe disa nga forcat e sigurisë. Qindra protestues janë arrestuar.

Të premten Biden tha, “Ne jemi me qytetarët dhe gratë e guximshme të Iranit. Jam habitur me këtë që po zgjohet në Iran. Nuk besoj se kjo do të qetësohet shpejt”.

Në fillim të muajit SHBA vendosi sanksione të reja ndaj zyrtarëve të sigurisë në Iran për atë që quante “shtypje e dhunshme e protestave”.

Raisi akuzonte SHBA se ka “nxitur trazira dhe në të kaluarën”, sipas tij për arsye të dështimeve të politikave amerikane të militarizimit dhe sanksioneve, shkruan rrjeti i Katarit, Al Jaseera.

FOTO GALERI
1/3
Presidenti iranian Ebrahim Raisi akuzonte dje presidentin amerikan Joe Biden për “nxitje të kaosit” pasi shprehu mbështetje për demonstratat kundër vdekjes së Mahsa Amini

Top Channel