Vdekja e 22 vjeçares Mahsa Amini në duart e policisë së moralit, por edhe shtypja e dhunshme e bërë protestave që shpërthyen anekënd Iranit në përgjigje të ngjarjes së rëndë, ishin arsyeja përse Bashkimi Europian vendosi të sanksionojë ministrinë e informacionit në Iran, policinë përgjegjëse për incidentin si dhe zyrtarë të tjerë.
BE-ja e publikoi në fletoren e saj zyrtarë listën e “zezë” që përfshin 11 individë dhe katër entitete. Lëvizja është pritur me zemërim në Teheran, lidershipi i të cilit u zotua t`i përgjigjet menjëherë bllokut europian.
“Do të vendosim e do të veprojmë në përputhje me vendimet dhe veprimet” e ndërmarra nga shtetet e BE-së, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Naser Kanani. “Nëse ata vendosin sanksione të reja, ky veprim do të konsiderohet nga ana jonë si krejtësisht jokonstruktiv dhe joracional”, ishte shprehur ai pak përpara se sanksionet të njoftoheshin.
Amini ndërroi jetë tre ditë pas arrestimit nga policia e moralit, nën pretendimin se nuk po e mbante mirë hixhabin apo shaminë e kokës. Sipas dëshmitarëve, vajza u rrah brutalisht nga policia, variant ky që mbështetet me forcë edhe nga familjarët e saj, ndonëse autoritetet dolën me pretendimin se vdekja e vajzës nuk ishte për shkak të goditjeve në kokë apo gjymtyrë, por nga një sëmundje.
Sipas organizatës me bazë në Oslo, Iran Human Rights, të paktën 2015 persona, përfshirë 27 fëmijë, janë vrarë gjatë shtypjes së egër të bërë protestave që pasuan vdekjen e saj.
Top Channel