Dinamo koleksionon fitoren e dytë radhazi, Flamurtari dhe Korabi i bëjnë presion

16/10/2022 16:22

Dinamo arriti fitoren e dytë radhazi në Kategorinë e Parë teksa morën një fitore domethënëse në Fier përballë Apolonisë me rezultatin 1-3. Blutë e Kryqytetit kaluan në avantazh të parët me anë të Taulant Markut teksa vendasit barazuan me anë të Gjatës vetëm tre minuta më pas. Por llogaritë e fierakëve i “hodhi në erë” Topi që u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 41-të, me Dinamon që gjeti në të 45-tën sërish avantazhin.

Këtë herë autori i golit ishte Ymeri. Në fraksionin e dytë, miqtë menaxhuan vantazhin dhe e “vranë” ndeshjen në të 86-tën pas një tjetër realizimi të Markut. Pas këtij suksesi, Dinamo mban e vetme kryesimin në kuotën e 14 pikëve.

Ndërkohë, një fitore shumë të rëndësishme mori edhe Flamurtari, me vlonjatët që mposhtën në shtëpi me rezultatin e pastër 3-0, Tërbunin. Pukjanët u dorëzuan pa kushte teksa ishte Metani që kaloi në avantazh kuqezinjtë në minutën e 16-të ndërsa në fraksionin e dytë të lojës, Flamurtari shënoi edhe dy herë në fundin e lojës, respektivisht në minutat e 87-të dhe në minutën e 10-të të shtesës. Pas këtij suksesi, vlonjatët renditen në vendin e tretë me 11 pikë, ndërsa Tërbuni mbetet në vendin e pestë me nëntë pikë.

Sakaq, Korabi mposhti thellë në shtëpi me rezultatin 4-1, Lushnjën. Vendasit nuk e diskutuan triumfin duke shënuar tre gola brenda 14 minutave të para me autor Keko, Beshiraj dhe sërish Keko. Në fundin e pjesës së parë, miqtë shkurtuan diferencat ndërsa në fraksionin e dytë Beshiraj gjeti sërish rrjetën në minutën e 89-të. Me këtë trepikësh, Korabi ngjitet në vendin e dytë me 12 pikë, teksa nga ana tjetër, mbetet në vendin e 12-të me pesë pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA