Për tetë javët e ardhshme, Ministria e Arsimit ka vendosur që të shtunave të mbahet mësim për të kompensuar orët e humbura gjatë grevës.

Në mesin e shumë kundërshtimeve një pjesë e shkollave vijuan me procesin mësimor, ndonëse të mangët.

Në ndërrimin e paradites në shkollën “Naim Frashëri” janë 400 nxënës që ndjekin procesin mësimor, megjithatë këtë të shtunë vetëm 90 prej tyre kanë ardhur në shkollë.

Sipas drejtorisë së shkollës, prindërit vendosën të mos mbahet mësim, me arsyetimin se sot është ditë vikendi.

Mësimdhënësit ishin të pranishëm nëpër shkolla ndonëse një pjesë prej tyre nuk ligjëronin për shkak të mungesës së nxënësve.

Megjithatë jo të gjitha shkollat në kryeqytet zhvilluan procesin mësimor.

Këtë të shtunë në shkollën “Dardania” nuk është mbajtur mësim. Sindikata e Arsimit kundërshton që të shtunave të mbahet procesi mësimor sikurse edhe Këshilli i Prindërve që thirret në ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, në të drejtën e tyre të lojës dhe kohës së lirë, duke refuzuar kështu që fëmijët t’i dërgojnë në shkolla.

Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit tregojnë që presioni i Ministrisë së Arsimit ndaj mësimdhënësve është i lartë.

Janë 22 orë të humbura nga greva e shtatorit për të cilat MASHTI insiston që të kompensohen, për çka ka ndërruar edhe kalendarin e vitit shkollor.

 

Top Channel