‘Të gjithë e pamë’/ Protestat kundër Xi Jinping ndezin internetin në Kinë (fotot)

14/10/2022 17:00

Autoritetet në Kinë po nxitojnë për të censuruar postimet për incidentin e urës Sitong në Pekin ku disa pankarta sfiduese ndaj qeverisë u varën dhe disa zjarre revolte u dogjën, disa ditë para kongresit të partisë komuniste.

Zyrtarët komuniste kanë ndaluar çdo diskutim për protestat e Pekinit, sidomos për pankartat ku bëhej thirrje për bojkot dhe largim të presidentit Xi Jinping, para kongresit të rëndësishëm.

Foto dhe video të protestës në urën Sitong u shfaqën sërish dje në rrjetet sociale, ku shihej tym që ngrihej nga ura kryesore e zonës Haidian të kryeqytetit.

“Ne duam ushqim , jo teste tamponi PCR. Duam liri, jo karantina koronavirusi. Duam respekt jo gënjeshtra. Ne duam reformë, jo ‘Revolucion Kulturor’. Duam votë, jo lider. Duam të jemi qytetarë, jo skllevër”, thuhej në një prej pankartave gjigante në shirita plastike, ku gjithashtu bëhej thirrje për bojkot të shkollave, për greva dhe largimin e Xi.

Fotot u përhapën shpejt në rrjetet sociale perëndimore por eliminoheshin shpejt në Kinë nga  censura e fuqishme vendase.

Të gjitha postimet me fjalën “Pekin”, “urë”, ose “Haidian” kontrolloheshin ashpërsisht, ashtu si dhe një këngë e krijuar për protestën, shkruante rrjeti Associated Press.

Por megjithë censurën një protestë e tillë e rrallë tërhoqi vëmendje dhe një hashtag në rrjetin kinez Weibo i quajtur “Të gjithë e pamë”, që i referohet incidentit, ishte parë më shumë se 200 000 herë.

Të tjerë komentues i referoheshin këngës së filmit ‘Les Miserables’ , ‘A i dëgjon njerëzit që këndojnë?’, e cila u censurua dhe ajo në 2019 kur u kthye në temë nga protestat e Hong Kong.

Një protestë e hapur kundër presidentit Xi vjen disa ditë para kongresit të rëndësishëm të partisë, teksa në Pekin kanë zbarkuar mijëra delegatë të partisë komuniste, të cilët pritet të riemërojnë Xi si president për mandat të tretë rekord, duke solidifikuar rolin e tij si kreu autoritar i Kinës.

FOTO GALERI
1/3
Fotot u përhapën shpejt në rrjetet sociale perëndimore por eliminoheshin shpejt në Kinë nga censura e fuqishme vendase.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA