Barazimi ndaj Interit, rezultat që ka shuar shpresat e Barcelonës për të vazhduar rrugëtimin në Champions League, është përjetuar keq në kampin katalanas.
Gjithsesi, sezoni është i gjatë, objektivi kryesor është fitimi i titullit kampion, trofe që mungon në “Camp Nou” prej vitit 2019.
Në një prononcim për kanalin zyrtar të Barcelonës, presidenti Joan Laporta konfirmon besimin te trajneri Xavi, pranon se ekipi nuk është në gjendje të garojë për triumfin në Champions League, ndërkohë që “qan” penalltinë e munguar në takimin e parë ndaj Interit në “San Siro”.
“Kemi rinovuar skuadrën, jemi në ndërtim të një skuadre të fortë, por besimi ndaj trajnerit Xavi dhe lojtarëve është i palëkundur. U thashë atyre që të vazhdojmë përpara me kokën lart, ta harrojmë Champions-in dhe të fokusohemi te fitimi i La Liga-s.
Objektivi ynë kryesor është titulli kampion. Nuk kemi skuadër për të fituar Champions League, por penallti e mohuar në Milano (rasti i Dumfries) mbetet një gjë skandaloze”, deklaroi kreu i klubit katalanas.
Top Channel