Amnesty International: Të paktën 23 fëmijë të vrarë gjatë protestave në Iran

14/10/2022 11:07

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI), tha se të paktën 23 fëmijë janë në mesin e qindra personave të vrarë në Iran gjatë protestave masive.

Protestat masive shpërthyen muajin e kaluar, pas vdekjes së një gruaje të re në paraburgim, e cila ishte ndaluar nga policia e moralit nën pretendimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.

“Vrasja e paligjshme e të paktën 23 fëmijëve nga forcat e sigurisë së Iranit hedh më shumë dritë mbi vendosmërinë e autoriteteve për të shtypur pakënaqësitë, protestat që po vazhdojnë, që u nxitën nga vdekja në paraburgim e 22-vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator. Këto protesta më pas u rritën në atë që shumë në Iran thonë se është një kryengritje më e gjerë ndaj udhëheqjes së Republikës Islamike”, tha AI në një deklaratë të publikuar më 14 tetor.

Njëzetetre fëmijët janë në mesin e të paktën 201 personave që vlerësohet që janë vrarë në protestat mbarëkombëtare që janë mbajtur qëkur Amini vdiq.

Amnesty po ashtu publikoi emrat dhe rrethanat e vrasjes së 23 fëmijëve gjatë dhjetë ditë protestash muajin e kaluar. Kjo organizatë tha se në mesin e fëmijëve të vrarë janë 20 djem nga mosha 11 deri 17 vjeç dhe tri vajza, dy prej të cilave ishin 16 vjeçe dhe një 17-vjeçare.

Shumica e të vrarëve u qëlluan nga forcat e sigurisë, ndërkaq katër prej tyre – tri vajza dhe një djalë – u rrahën për vdekje.

Dhjetë nga viktimat i përkisnin minoritetit baluçi dhe ata, sipas AI, u qëlluan për vdekje nga forcat e sigurisë më 30 shtator, që vlerësohet se ka qenë dita më vdekjeprurëse e protestave në Zahedan, në provincën Sistan dhe Baluçistan.

“Forcat e sigurisë së Iranit kanë vrarë të paktën dhjetëra fëmijë në përpjekje për të shtypur shpirtin e rezistencës në mesin e të rinjve të guximshëm të vendit”, tha Heba Morayef nga Amnesty International.

“Shtetet anëtare në Këshillin për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara duhet që urgjentisht të mbajnë një takim të posaçëm për miratimin e një rezolute për hetim të pavarur ndërkombëtar dhe për të ngritur mekanizma për llogaridhënie në Iran”, tha Morayef.

Agjencia për fëmijë e OKB-së, UNICEF, tha më 10 tetor se ishte “jashtëzakonisht e shqetësuar” lidhur me raportimet se “fëmijët dhe adoleshentët po vriten, plagosen dhe arrestohen” në Iran./Rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA