Takimi Putin-Erdogan/ Ofrojnë marrëveshje mes vendeve, presidenti rus: Turqia është rruga më e besueshme për gazin në BE

13/10/2022 14:26

Presidenti rus Vladimir Putin gjatë takimit me presidentin Rexhep Tajip Erdogan këtë të enjte u shpreh se Turqia është rruga më e besueshme për gazin në vendet evropiane.

“Sa i përket energjive të tjera hidrokarbure, përfshirë gazin, dërgesat tona janë në vëllim të plotë në përputhje me kërkesat tuaja. Ne kryejmë gjithashtu tranzit përmes Turqisë në vendet evropiane. Turqia doli të ishte rruga më e besueshme për furnizimin me gaz në Evropë sot”, deklaroi Putin në samitin e  Konferencës për Ndërveprimin dhe Masat e Ndërtimit të Besimit në Azi në Astana, Kazakistan.

Në të njëjtin takim dypalësh, Erdogan i tha presidenti rus se Turqia mund të ndihmojë në transportin e grurit dhe plehrave ruse në vendet më pak të zhvilluara.

“Ne mund të punojmë së bashku për të krijuar listën e këtyre vendeve, sepse më shumë se vendet e zhvilluara, ne duhet të kujdesemi për vendet më të varfra. Ndërsa hapat që ndërmarrin Turqia dhe Rusia për këtë mund të shqetësojnë disa qarqe, kjo do t’i bëjë të lumtur vendet më pak të zhvilluara”, tha Erdogan.

Sipas CNN, Rusia ka përdorur burimet e saj të gazit natyror për të ushtruar presion ekonomik mbi vendet evropiane, duke përkeqësuar krizën energjetike.

Moska u përball muajin e kaluar me rrjedhje të pashpjegueshme në dy tubacione të gazit rus që kalon nën Detin Baltik pranë Suedisë dhe Danimarkës.

Nga ana e saj, Turqia ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje,që pa Rusinë të lejojë eksportet e grurit nga portet kryesore të Ukrainës të rifillojnë në gusht.

Top Channel