Paketa e re fiskale qëllim kryesor ka uljen e informalitetit në ekonomi.
Në kushtet e krizës së çmimeve, dëmet që bëhen nga lëshimi i faturave pa TVSH është edhe më i lartë në buxhetin e shtetit.
Kështu gjobat për bizneset e mëdha arrijnë deri në 1.5 milionë lekë(të reja). Rritje të gjobës ka edhe për bizneset që nuk deklarojnë pagat.
Kjo sipas Tatimeve vjen pasi në vitin e kaluar u evidentua një numër i lartë shkelësish. Ekspertët shprehen se gjobat do të frikësojnë bizneset evazore.
Në paketën e re fiskale është i përfshirë edhe hartimi i një kuadri ligjor për kontrollin e individëve të pasur, por paketa nuk përmban kërkesat e shumta të opozitës si heqja e TVSH-së për produktet e shportës apo për karburantet. Lehtësimet janë kryesisht për sektorin energjetik
“Mendoj që ulja e TVSH-së nuk mund të bëhet në kushtet kur ekonomia jonë ka nivel kaq të lartë informaliteti”- shprehet eksperti për çështjet fiskale Eduart Gjokutaj.
Sipas ekspertëve, paketa duhej të përmbante një tjetër masë, barazinë e taksave mes kapitalit dhe punës. Masa e tatimit mbi dividentin është 8%, ndërsa pagat taksohen nga 13 – 23%.
“Në këtë paketë mendoj që duhej të arrihej barazia fiskale dhe kapitali, të taksohej njësoj si puna”- shton eksperti.
Top Channel