NATO premton sisteme të mbrojtjes ajrore për Ukrainën

13/10/2022 09:08

Aleatët e Ukrainës në NATO njoftuan se do të dërgojnë sisteme të reja të mbrojtjes ajrore dhe ndihmë tjetër ushtarake, në mënyrë që Kievi të mbrohet nga sulmet ajrore ruse që po godasin të gjithë vendin.

Rusia ka nisur një valë të re të sulmeve ajrore, duke goditur disa rajone ukrainase, duke bombarduar qytete, përfshirë edhe Kievin. Moska ka thënë se këto sulme janë në shenjë hakmarrjeje për shpërthimin në urën që lidh Rusinë me Gadishullin e aneksuar të Krimesë.

Zotimet nga aleatët përfshijnë edhe njoftimin e Francës se do të dërgojë radarë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore në Ukrainë gjatë javëve në vijim. Kanadaja po ashtu tha se do të ofrojë artileri dhe veshje dimërore dhe furnizime të tjera për ushtarët ukrainas.

Gjermania ka dërguar sistemin e parë të mbrojtjes ajrore të llojit IRIS-T SLM. Berlini do të dërgojë në total katër sisteme të tilla në Ukrainë. Ndërkaq, Uashingtoni tha se do të përshpejtojë dërgimin e sistemeve të premtuara ajrore, NASAMS.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se vala e fundit e sulmeve nxjerr në pah “mizorinë” e Rusisë, qëkur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Duke vlerësuar përpjekjet për luftë të presidentit rus, Vladimir Putin, ai tha se veprimet e liderit rus kanë unifikuar komunitetin ndërkombëtar.

“E gjithë bota ka parë sërish ligësinë dhe mizorinë e luftës së Putinit, që ka rrënjët në agresion dhe që përbuzë rregullat e luftës”, tha Austin gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes së NATO-s.

Austin u tha gazetarëve pas takimit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës se Kievi ka ndryshuar momentumin që nga shtatori, duke rimarrë territor, por shtoi se asaj i duhet më shumë ndihmë.

Ministrat e NATO-s do të zhvillojnë takime edhe më 13 tetor dhe pritet të vendosin që të rrisin stoqet me municion dhe pajisje ushtarake për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të aleancës.

Ata po ashtu pritet të diskutojnë për aftësitë e aleancës para stërvitjeve vjetore bërthamore të NATO-s, por edhe për nevojën për të mbrojtur më mirë infrastrukturën kritike, pas akteve të fundit të sabotimit. Shtetet aspiruese për anëtarësim në NATO, Finlanda dhe Suedia, po ashtu janë ftuar në takimin dyditor të aleancës.

Top Channel