Burra të veshur me të zeza, duke ngarë motoçikleta, shpesh duke mbajtur armë ose shkopinj u shfaqën që në nisje të protestave në Iran.
Ata janë anëtarë të asaj që njihet si Basij (ba-SEEJ’), vullnetarë paraushtarakë që janë mjaft besnikë ndaj Republikës Islamike. Trupat e Ajatollahut kanë marrë një rol drejtues në shtypjen e disidentëve për më shumë se dy dekada.
Pas protestave të fundit, të cilat shpërthyen pasi 22 vjeçarja Mahsa Amini vdiq në paraburgimin e policisë së moralit muajin e kaluar, këto trupa janë vendosur në qytetet e mëdha, duke sulmuar dhe ndaluar protestuesit, të cilët në shumë raste i janë kundër përgjigjur.
Në një video që po qarkullon gjerësisht shfaqen dhjetra nxënëse që heqin mbulesën e detyrueshme islamike, e njohur si hixhab dhe duke bërtitur i kërkojnë një drejtuesi të Basij, që të largohet.
Mbetet për t’u parë nëse protestat do të dobësohen, por rol të madh pritet të ketë mënyra se si Basij dhe forcat e tjera të sigurisë do t’u përgjigjen atyre.
Kur u krijua Basij i Iranit?
Basij, emri zyrtar i të cilit përkthehet Organizata për Mobilizimin e të Shtypurve, u themelua nga Ajatollah Ruhollah Khomeini menjëherë pas revolucionit islamik të vitit 1979 për të islamizuar shoqërinë iraniane dhe për të luftuar armiqtë e brendshëm.
Gjatë luftës shkatërrimtare Iran-Irak në vitet 1980, Basij udhëhoqi sulmet famëkeqe kundër ushtrisë së Sadam Huseinit, duke vënë në rresht, përballë ushtrisë, luftëtarë me armatime të dobëta, shumë prej të cilëve adoleshentë, që humbën jetën ndërsa vraponin nëpër fushat e minuara dhe mes zjarrit të artilerisë.
Me nisjen e revoltave të fundit studentore të viteve 1990, Basij mori një rol pak a shumë të ngjashëm me partinë në pushtet të një shteti autoritar. Trupat e Basij janë nën komandën e Gardës Revolucionare të Iranit dhe besnikë të fortë ndaj Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei, i cili vazhdimisht u thur lavde se ata janë shtyllë e Republikës Islamike.
Ata kanë krijuar degë anembanë vendit, si dhe organizata studentore, sindikata dhe entitete mjekësore. Departamenti i Thesarit në SHBA ka vendosur sanksione për atë që thotë se është një rrjet shumë miliardësh biznesesh të drejtuara në fshehtësi nga Basij. Aparati i sigurisë së Basij përfshin brigada të armatosura, forca kundër trazirave dhe një rrjet të gjerë informatorësh që spiunojnë fqinjët e tyre.
Saeid Golkar, një studiues iranian në Universitetin e Tennessee Chattanooga, i cili ka shkruar një libër për Basij, thotë se organizata ka rreth 1 milion anëtarë, dhjetëra mijëra janë forca sigurie.
“Për shkak se ata janë iranianë të zakonshëm pa uniformë, Republika Islamike i cilëson ata si mbështetës pro-regjimit,” tha ai. “Por në të njëjtën kohë, shumica e këtyre njerëzve paguhen nga Republika Islamike.”
Pse forcat iraniane po sulmojnë protestuesit?
Ekspertët thonë se shumë nga ata që bashkohen me Basij e bëjnë këtë për shkak të nevojave ekonomike, pasi përmes anëtarësimit ata sigurojnë mbështetje për t’u pranuar në universitete dhe dhe për t’u punësuar në sektorin publik.
Anëtarësimi paraprihet nga një indoktrinim i fortë, për 45 ditë ata marrim mësime ideologjike dhe ushtarake.
Atyre u mësohet se revolucioni islamik është një luftë hyjnore kundër padrejtësisë, një luftë që kërcënohet nga armiqtë e shumtë, që nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e deri te grupet opozitare iraniane në mërgim e madje edhe vetë kultura perëndimore.
“Edhe nëse rekrutët e rinj nxiten fillimisht nga përfitimet personale”, thotë Golkar, “indoktrinimi mund të ndihmojë në forcimin e arsyeve”
Sipas Organizatës, shamia islamike ose hixhabi, është një mburojë kundër përzierjes gjinore, shkeljes së kurorës dhe korrupsionit, heqja e saj është shenjë e kulturës së shthurur perëndimore. Krerët e Iranit kanë hedhur akuza se protestat e fundit janë pjesë e një komploti të huaj për të nxitur trazira.
Akuza që janë hedhur poshtë nga vetë protestuesit që thonë se demonstratat janë një shpërthim spontan i zemërimit për sundimin shtypës prej dekadash, qeverisjes së keqe dhe izolimit ndërkombëtar.
Si mund të bllokohen protestat nga forcat e Iranit?
Politika e kontrollit në Iran fillon me mbikqyrjen e madhe të qytetarëve, mbikqyrje që kryhet nga Basijitët, që janë të pranishëm pothuajse në çdo institucion publik. Irani gjithashtu kufizon qasjen në internet, veçanërisht gjatë periudhës së protestave dhe organizata ka një njësi të posaçme kibernetike hakerimi ndaj armiqve. “Ka strategji të ndryshme. Sigurisht që më e dukshme është dhuna,” tha Sanam Vakil, një ekspert i Iranit në institucionin kërkimor Chatham House në Londër.
Kur shpërthejnë protestat, Basijitët vishen me të zeza, hipin me motoçikleta, ndonjëherë duke mësyrë drejt demonstruesve për t’i shpërndarë. Ata veprojnë së bashku me policinë dhe Gardën Revolucionare të Iranit.
“Ata i ndjekin, i rrahin dhe i qëllojnë. I rrethojnë protestuesit dhe i fusin në furgona për t’i çuar në qendrat e paraburgimit për t’i dhunuar ashpër,” tha Vakil.
Anëtarë të organizatës Basijis mund të infiltrohen edhe mes protestuesve, me qëllim identifikimin e udhëheqësve të protestës. Amnesty International tha në një raport muajin e kaluar se katër individë të identifikuar nga autoritetet iraniane si pjesë e Basijis janë qëlluar dhe vrarë nga forcat e sigurisë pasi ishin ne mesin e protestusve.
A do të arrijë Irani t’i frenojë protestat?
Irani ka shtypur një seri protestash ndër vite, duke përfshirë Lëvizjen e Gjelbër të vitit 2009, kur miliona njerëz dolën në rrugë pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale. Qindra vetë u vranë në vitin 2019 kur Irani shtypi demonstratat lidhur me krizën e gjatë ekonomike të vendit që përballet me sanksione të rënda.
Por protestat e fundit kanë një ndjenjë tjetër, çka mund ta bëjë më të vështirë shuarjen e tyre.
Ato udhëhiqen nga gra të reja të zëmëruara për zbatimin përherë e më të rreptë të kodit konservator islamik të veshjes. Por protestat po marrin mbështetje nga një pjesë shumë më e gjerë e shoqërisë, duke përfshirë pakicat etnike dhe madje edhe disa punëtorë në industrinë kryesore, të Iranit, atë të naftës.
Protestuesit akuzojnë policinë morale të Iranit për rrahjen për vdekje të 22-vjeçares Mahsa Amini për shkak se nuk e kishte vënë plotësisht hixhabin. Autoritetet mohojnë se ajo u keqtrajtua, duke thënë se ajo vdiq nga një atak në zemër, çka është kundërshtuar nga familja e saj.
Videot e protestave të fundit tregojnë gra të reja që presin flokët e tyre ndërsa demonstruesit thërrasin “vdekje diktatorit” dhe slogane të tjera.
Anëtarët e Basij arrijnë t’i zmbrapsin dhe nëse ndonjëherë edhe t’i përzenë protestuesit.
Por askush nuk pret që autoritetet iraniane të tërhiqen së shpejti.
“Me censurën e lartë të internetit, është pak herët për të arritur në përfundim nga larg, mbi atë që po ndodh saktësisht atje,” tha Vakil. “Por unë mendoj se qeveria shpresonte në fillim se protestat do të shuheshin dhe tani shtypja sa vjen dhe bëhet më e fortë”./VOA
Top Channel