“E para herë në histori”, Franca nis dërgimin e gazit në Gjermani: Solidaritet europian

13/10/2022 14:16

Për të parën herë, Franca ka nisur të dërgojë gaz në Gjermani, duke përçuar kështu mesazhin e solidaritetit europian përballë reduktimit të furnizimeve nga Rusia.

Në një deklaratë të saj, kompania GRT gaz pohoi se tubacioni që lidh të dy vendet në fshatin francez Obergailbach ka nksur furnizimin me një kapacitet fillestar ditor prej 31 gigawat për orë.

Kjo është diçka historike, shkruajnë mediet e huaja, sepse përbën të parën herë që Franca dërgon gaz direkt në Gjermani. Dërgesa konkretizon një marrëveshje ndihme reciproke të zyrtarizuar më 5 shtator midis liderëve të dy vendeve, Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz, në mesin e një shtimi të kërkesës për gaz, dhe gjithashtu një rritjeje të ndjeshme të çmimit. Franca ka më shumë gaz se Gjermania fqinjë për shkak të furnizimit nga Norvegjia dhe gazit të lëngshëm të marrë nga SHBA-ja, që  e kanë lejuar të mbushë rezervat e saj dimërore.

Në mesin e luftës në Ukrainë, liderët europianë po i hedhin sytë edhe nga Afrika për më shumë gaz natyror ndërsa përpiqen të zëvendësojnë sasinë e importuara nga Rusia. Rezervat e gazit natyror të Afrikës janë të mëdha dhe vende si Algjeria kanë tubacione të lidhura me Europën, por mungesa e infrastrukturës në pjesën tjetër dhe sfidat e sigurisë kanë penguar prej kohësh prodhuesit në disa zona të kontinentit të rrisin eksportet.

Top Channel