Është rënduar sërish bilanci tragjik i ngjarjes së rëndë në Klos.
Pasi ndërruan jetë babë e bir nga të shtënat me armë, është vetëvrarë autori i ngjarjes.
Policia njoftoi se ka arritur të arrestojë dy vëllezërit Fatmir Mjeshtri dhe Besnik Mjeshtri.
Eglantin Hasula dhe Renato Hasula, babë e bir, janë të plagosurit që janë nisur në Tiranë.
“Sot në orën 14:15 minuta në qytetin e Klosit u vranë Ilir Shira dhe Kenado Shira. Të plagosur Renato Hasula dhe Englatin Hasula. U bë e mundur kapja e dy personave Fatmir dhe Besnik Mjeshtri. Autori i tretë Fiqiri Mjeshtri ka ndërruar jetë është vetëvrarë” – tha drejtori i policisë së qarkut, Dhimitraq Ziu.
Ngjarja e rëndë ndodhi pranë një lokali në qendër të Klosit, duke shkaktuar panik mes banorëve të pranishëm.
Shkak për ngjarjen dyshohet të jenë konfliktet e vazhdueshme mes dy fiseve që degjeneruan në përdorimin e armëve.
Policia ka ngritur pika kontrolli për kapjen e autorit si dhe ka shoqëruar dëshmitarë okularë për të kuptuar dinamikën e këtij krimi të rëndë.
Njoftimi policisë:
Klos/Informacion paraprak
Në qytetin e Klosit, dyshohet se shtetasi F. M., 39 vjeç, në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin K. Sh., 17 vjeç, si dhe kanë plagosur shtetasit I. Sh., 46 vjeç (babai i 17-vjeçarit), R. H., 14 vjeç dhe E. H., 39 vjeç (babë e bir).
Të tre të plagosurit janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi I. Sh. ka humbur jetën në spital.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë rrethuar zonën, kanë bllokuar hyrje-daljet e qytetit të Klosit dhe kanë ushtruar kontrolle në banesa, lokale dhe në ambiente të tjera.
Gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kapën dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, shtetasin F. M., 44 vjeç dhe vëllanë e tij, shtetasin B. M., bashkëpunëtorë në këtë ngjarje.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të pajetë, dyshohet të vetëvrarë, autorin kryesor të kësaj ngjarjeje, shtetasin F. M., 39 vjeç.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, vijon punën për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Top Channel