Tetori është një nga muajt më të lagësht të vitit. Deri tani kemi pasur vetëm një episod reshjesh të fokusuar në veri dhe veriperëndim, ku disa zona kanë marrë 40-50% të reshjeve që duhet të bien.
“Parashikohet që nesër, pra ditën e enjte, të kemi ndërprerje të reshjeve gjatë paradites. Do të kemi sërish në orët e vona të mbrëmjes zhvillim të vranësirave, ku do të jetë i gjithë territori i përfshirë nga reshjet. Dita e premte do të sjellë zhvillimin e një celule e cila vjen nga jugu I Italisë, duke përfshirë edhe jugun e Shqipërisë, Vlorën, Sarandën dhe sidomos qarkun e Gjirokastrës. Këto zona do të marrin reshje në një kohë të shkurtër, me një intensitet shumë të lartë.
Më pas kemi disa ditë të njëpasnjëshme duke filluar nga fundjava dhe pothuajse gjithë java tjetër do të jetë me mot të qëndrueshëm dhe kthjellime, vranësira të lehta dhe kalimtare, por nuk priten reshje, të paktën deri në datën 22, 23 tetor. Do të na duhet të kemi një episod tjetër reshjesh që të plotësohen kuotat mujore në zonat ku ka rënë një pjesë e reshjeve dhe të tejkalohet pse jo.
Përsa u përket vlerave termike, janë vlera tipike të muajit tetor, minimalet janë 7-8 gradë në zonat malore, ndërkohë që maksimalet janë 24-25 gradë celcius. Pothuajse e gjithë java ka qenë rreth këtyre vlerave. Fundjava do të sjellë një rritje me 2 gradë duke bërë që në shumë zona të kemi 25 apo 26 gradë.
Një parametër problematik që do të shfaqet të enjten gjatë natës dhe sidomos të premten, do të jetë parametri I erës. Do të ketë herë pas here erë me shpejtësi 50-60 km në orë, sidomos te premten, duke sjellë problem me trafikun detar në brigjet e Jonit, I cili do të jetë I përkohshëm, pasi që nga fundjava pritet që fuqia e erës të dobësohet.”-Lajda Porja, Meteoalb
Top Channel