Pedagogët shfaqen të vendosur për të kërkuar dyfishimin e pagave dhe të mos mjaftohen me rritjen 7% nga buxheti i shtetit dhe 8% nga vetë universiteti.
Të premten më 14 tetor pranë korpusit universitar ata do të protestojnë sërish, teksa paralajmërojnë se do të bojkotojnë mësimin nëse zëri i tyre nuk dëgjohet.
Kreu i Sindikatës, Aleksandër Kovaçi u shpreh se pedagogët janë të vendosur të mbështesin kërkesat e drejtuara ndaj Kryeministrit dhe Ministrisë së Arsimit.
“Sindikata është e vendosur të mbështesë kërkesat e drejtuara ndaj Kryeministrit dhe Ministrisë së Arsimit. Sindikata e quan të papranueshme rritjen e premtuar me 7% të rrogës nga Kryeministri, ndërkohë rritja 30% këtë vit është një hap drejt rregullimit të gjendjes. Vendimi i sindikatës është i qartë, tarifat e studentëve duhet tu kthehen atyre pas. Ditën e premte në orën 14:00 protestojmë para universitetit të Arteve në Tiranë, ftojmë çdo koleg në universitete shqiptare”, deklaroi kreu i sindikatës.
Përveç kërkesave drejtuar qeverisë, kanë edhe një thirrje për studentët që të bashkohen nën sloganin investim për arsim cilësor.
Sindikata e punonjësve të universiteteve të Shqipërisë parashikon nevojën e një fondi prej 15 milion euro për të vlerësuar rreth 5000 akademike e staf administrativ, e kjo do të ishte e mundur sipas tyre duke kursyer nga tenderat publike.
Por sa paguhet aktualisht një pedagog dhe sa pretendojnë që të jetë paga e tyre?
“Ne presim studentët në protestë, kjo pasi 8% do merret nga universitet. A pranojnë studentët që nga tarifa e tyre të përdoret për të paguar pedagogët. Ne duam që studentët me tarifat e tyre të kenë të mira në universitetet e tyre, të kenë biblioteka etj. Po mbyllen degë, po ne do mbyllim dhe universitetet nëse vazhdon me këtë lloj politike. Ne kemi kërkuar 30 % këtë vit dhe 20 % vitin e ardhshëm si parakusht. Më datë 14 do marrim një vendim, ne këtë lëvizje e kemi me studentët dhe për studentët, që të kemi një arsim të lartë cilësor. Mund të negociojmë kohën këtë vit, 30 % ka qenë negocimi, se ne e kishim 50 % e ndamë. S’është shumë, është thjesht 15 mln euro, ne po ndërtojmë rrugë me 21 mln euro. Qeveria ka mundësi të investojë”, tha Kovaçi.
Kjo javë është vendimtare për nisjen ose jo të vitit të ri akademik më 17 tetor, në varësi të reagimit ose heshtjes së qeverisë.
Top Channel