Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sekuestrimin e të dhënave dhe mbylljen e faqeve online, në tre shtete në Hong Kong, Britaninë e Madhe dhe Rusi, të cilat publikojnë të dhënat e marra nga sulmet kibernetike në Shqipëri.
Përmes këtyre tre letër porosive autoritetet shpresojnë që t’u vihet kapaku të dhënave të marra nga hakerat nga Ministria e Brendshme dhe AKSHl, të cilat po shpërndahen me episode të vazhdueshme në llogaritë “Homeland Justice”.
Gjyqtarja aprovoi kërkesën e prokurorisë së kryeqytetit që në krye të katër muajve nga sulmi i parë kibernetik i thotë Britanisë, Kinës dhe Federatës Ruse se Shqipërisë i rrezikohet siguria kombëtare, dhe jeta private e individëve.
Prokuroria pranon se sulmi i nëntë shtatorit në sistemet kompjuterike të policisë është nga i njëjti grup që veproi në muajin korrik ndaj AKSHI-t. Me pretendimin se të treja shtetet do t’i përgjigjen në kohë, gjykata i dha rrugë ndihmës juridike ku kërkohet sekuestrimi i të dhënave dhe sistemeve kompjuterike të Homeland Justice në Telegram. Kërkesa e dytë e akuzës është ajo e ndalimit të publikimit të mëtejshëm.
Por ndërkohë gjatë javës dyshohet se një sulm tjetër hakerimi u tentua në adresë të Këshillit të Lartë Gjyqësor shkurt qeveria e gjyqësorit. Zyrtarisht KLGJ pranon për Top Channel se ekspertët e Microsoft zbarkuan të premten në godinën e polit të drejtësisë për të skanuar nëse kishte dëme apo jo.
KLGJ i thotë TCH se për gati tre orë të premten e kaluar u ndërprenë shërbimet e ofruara online për t’i skanuar me qëllim shmangien e mbartjes së fileve të infektuara nga sulmet kibernetike të mundshme. Nga rezultati i skanimit të sistemeve thuhet më tej në reagimin për TCH , nuk rezultoi të jetë hakeruar dhe për rrjedhojë nuk ka patur rrjedhje të të dhënave gjyqësore
Por përpos Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, shërbimet on line në të gjitha gjykatat është e vështirë të realizohen. Pamundësi konstatohet në kalendarin on line dhe në njoftimin e palëve.
Gjykata me e madhe në vend thotë se aksesimi on line nuk funksionon pasi janë mbyllur shërbimet online për të ruajtur sistemin .
Top Channel