Përdhunimi i të miturës në Greqi, maniaku 53-vjeçar anëtar i partisë në pushtet

11/10/2022 12:33

Dimensione politike duket se ka marrë historia e frikshme e një 12-vjeçareje në Athinë që ka tronditur gjithë opinionin publik grek, pasi për gati pesë muajt e fundit ishte pre e orekseve seksuale të një 53-vjeçari i cili jo vetëm e përdhunonte, por edhe e shfrytëzonte seksualisht me klientë të tjerë përkundrejt pagesës.

Pasi mëngjesin e së hënës ai është çuar në prokurori për të deponuar, zyrtarë të partisë opozitare Syriza kanë kërkuar të bëhen publike identiteti i tij, pasi është anëtar i partisë në fuqi Demokracia e Re, i një 42-vjeçari që është arrestuar me akuzën se e ka përdhunuar edhe ai vajzën e vogël, si dhe emrat e 213 personave të tjerë, të cilët duket se kanë ardhur në kontakt me 53-vjeçarin, pasi kanë parë videot pornografike që ai filmonte veprimet gjatë akteve seksuale.

“Çdo vonesë, si në publikimin e të dhënave të tyre, apo edhe në hetimin e celularëve dhe kompjuterëve të tyre, nuk do të jetë thjesht e turpshme dhe kriminale. Do të jetë një tentativë për mbulim”– thuhet në deklaratën e shefit të Departamentit të Mbrojtjes së Qytetarit të partisë SYRIZA.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes së qytetarit Takis Theodorikakos deklaron se arrestimi i 53-vjeçarit është një tjetër shembull i profesionalizmit dhe efikasitetit të policisë greke dhe se drejtësia do të thotë fjalën e fundit, zëdhënësi i qeverisë akuzon opozitën se instrumentalizon një çështje që ka marrë rrugën e drejtësisë.

“Ajo që është zbuluar është e tmerrshme, e frikshme. Shoqëria është e tronditur. Organet greke , Policia, Drejtësia po kujdesen që të zbardhet çdo aspekt dhe të ndëshkohen autori dhe bashkëpunëtorët. Vërtet, ai ishte anëtar i Demokracisë së Re, dhe padyshim anëtarësia e tij është pezulluar. Çdo përpjekje për të shfrytëzuar politikisht rastin duke synuar persona që janë fotografuar me të pa e ditur se kush është, është një përpjekje e papranueshme dhe e pakuptimtë“, tha Giannis Oikonomoz, zëdhënësi i qeverisë.

12-vjeçarja, fëmija e tetë e një familje të varfër, punonte bashkë me nënën e vet disa orë në javë në minimarketin në pronësi të 53-vjeçarit në lagjen Kolono të Athinës.

Autori kishte hapur disa profile të rreme të saj në mediat sociale ku e shfaqte si 16-vjeçe. Por pas vitrinës së dyqanit, fshihte orekset e tij të sëmura.

Sipas dëshmisë së vajzës e përdhunonte nën kërcënimin e e pistoletës dhe e detyronte të kryente marrëdhënie seksuale me klientët të cilët i gjente online.

Autoritetet pas dëshmive të të afërmve të vajzës, kanë monitoruar 53-vjeçarin dhe kanë gjetur bisedat që ai kishte me pedofilë që paguanin për të takuar 12-vjeçaren.

Sipas burimeve të policisë greke identiteti dhe fotot e tij do të publikohen në ditët në vijim, pasi thuhet se në rrjetën e tij mund të kenë rënë edhe vajza të tjera të mitura.

Top Channel