Në Arabinë Saudite super konservatore, gratë po përpiqen të kapërcejnë stigmën e madhe të kërcimit në tub. Në një palestër të Rijadit, qyteti ku e vjetra dhe e reja po përplasen përherë e më fort, femrat mësojnë sesi të kërcejnë në tub, diçka gati e paimagjinuar përpara disa kohësh në këtë vend.

“Kur i thashë prindërve se desha të mësoj pole dancing, ishin totalisht kundër, filluan të më bërtisnin e të më thoshin se kjo ishte diçka që e kishim parë vetëm në televizor e nëpër filma. Pastaj, pas disa leksionesh u tregova videot, e u thashë se nuk është diçka dhe kaq e lehtë për t`u bërë. Kërkon një gjendje të caktuar emocionale, përpos aftësive fizike. E kuptuan se përtej pasionit, kjo nuk ishte diçka e lehtë për mua. Tani përpiqem edhe me shoqërinë time të filmoj atë që bëj, dhe janë më entuziastë, duan edhe ata të vijnë. duan ta provojë, janë kuriozë. në fillim e konsideronin diçka të gabuar, por tani duan ta provojnë edhe vetë”, tha Nada.

“5 ose 10 vjet më parë, kërcimi në tub këtu ishte i paimagjinueshëm. Maksimumi, shkonim deri tek joga, ose gjëra të tilla. Mësimet e pole dancing i nisëm dy vjet më parë. Në fillim ishte problem, sepse kishim shumë pak trajnerë dhe na u desh të trajnonim vetë njerëz që të bëheshin të tillë”, tha May al-Youssef, pronarja e palestrës.

Për shumë vite, kufizimet famëkeqe për atë se çfarë mund të vishni, të bënin e ku mund të punonin gratë saudite, kufizuan ndjeshëm mundësitë e tyre.

Megjithatë, promovimi i sportit tek femrat është shfaqur kohët e fundit si pjesë e një shtytjeje më të gjerë për të hapur shoqërinë saudite dhe për të projektuar një imazh më të butë në botën e jashtme, pavarësisht shtypjes së vazhdueshme që u bëhet grave aktiviste dhe disidente.

Top Channel