Raketa ndaj ambasadës gjermane në Kiev, gazetari i BBC ndërpret transmetimin

10/10/2022 16:15

Ambasada gjermane ishte një prej ndërtesave të goditura nga sulmet ruse në Kiev mëngjesin e sotëm, ngjarje kjo që shkaktoi tronditje edhe pse godina nuk ka qenë në përdorim që nga shpërthimi i luftës.

Ish kreu i  Fondacionit Böll në Kiev, Sergei Sumlenny, postoi foto në Twitter dhe tha duke iu drejtuar kancelarit Olaf Scholz  dhe ministres së Jashtme Annalena Baerbock: Ndërtesa ku ndodhej zyra e vizave e ambasadës gjermane në Kiev u godit sot nga rusët. Ndoshta mund të dërgohen disa “Leopardë” për të kontrolluar situatën në terren?

Më herët, gazetari i rrjetit televiziv BBC, Hugo Bacheca, u detyrua të ndërpriste transmetimin e drejtpërdrejtë kur në sfond u dëgjua një zhurmë e fortë, e cila rezultoi të ishte pasojë e predhave që po godisnin kryeqytetin ukrainas.

Mediat e huaja raportojnë se presidenti rus, Vladimir Putin ka emëruar një gjeneral të konsideruar njeri tejet mizor si komandantin e ri të trupave të tij në Ukrainë pas humbjeve dhe shkarkimit të një gjenerali tjetër.

Sipas zëdhënësit të ministrisë së mbrojtjes, Igor Konashenkov, kontrollin e ushtarëve të çorientuar e demoralizuar rusë në Ukrainë, tanimë e merr Serguei Surovikin, që deri më tani drejtonte forcat e Moskës në krahun jugor.

Putin e paralajmëroi sot Kievin se do të përballet me një përgjigje të ashpër nëse do të ketë ndonjë sulm të mëtejshëm si ai në Urën e Krimesë.

Top Channel